Ekonomi

Sa na kushton “qejfi”? Një familje shqiptare shpenzon 16 mijë lekë çdo muaj për argëtim, Tiranasit të parët

0

Një familje shqiptare harxhon mesatatarisht 16,000 lekë në muaj për pije alkolike, duhan, argëtim, kulturë, dalje në restorante, qëndrim në hotele dhe të tjera, referuar shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave.

Kështu, “Scan Intel” ka analizuar sesi kanë ndryshuar vlerat për subkategorinë “Argëtim”, për periudhën 2015-2020. Për vitin 2015, shpenzimet mesatare mujore për zërat e sipërpërmendura të përfshirë në analizë janë 11,202 lekë, të ndjekura nga 12,662 lekë për vitin 2016, 12,900 lekë për vitin 2017, 13,451 lekë për vitin 2018, 16,235 lekë për vitin 2019 dhe 15,364 lekë për vitin 2020. Duke përjashtuar vitin 2020, që konsiderohet një vit pandemik, tendenca e shpenzimeve mesatare të një familjeje shqiptarëve për t`u argëtuar, ka ardhur gjithnjë dhe në rritje.

Ndërkohë që konsumi mesatar mujor për të gjitha kategoritë për të njëjtat vite fiksohet në 70,766 lekë, 73,143 lekë, 73,400 lekë, 75,935 lekë, 82,235 lekë, 83,475 lekë për periudhën 2015-2020, çka përkthehet në 16%-18% të të ardhurave mujore në dispozicion të një familje mestare shqiptare, të cilat shkojnë për aktivitete argëtuese. Nga ana tjetër, kujtojmë se një shqiptar mesatar sot merr një pagë neto përafërsisht rreth 48,000 lekë ose 410 eurosh në muaj. Një familje normale me katër persona dhe dy të punësuar merr një pagë mesatare neto prej 96,000 lekësh. Duke ndjekur të njejtën linjë logjike, në rastin më të mirë, një familje me tre të punësuar ka në dispozicion për të përballuar muajin, 144 mijë lekë të ardhura.

Ndërkohë që, nese i referohemi shifrave zyrtare, shpenzimet mesatare për konsum për një familje të përbërë mesatarisht nga katër persona janë 83,475, bazuar gjithmonë në të dhënat e Institutit të Statistikave për vitin 2020. Shifrat tregojnë gjithashtu se, shpenzimet për hotele dhe restorante janë zëri kryesor mes shpenzimeve për familjet shqiptare, ndërkohë që kultura në vetvete zë peshën më të ulët. Madje, për pije alkoolike dhe duhan shpenzimet e familjeve shqiptare janë edhe më larta se për aktivitetet kulturore dhe argëtimin.

Por, çfarë ka ndodhur me shpenzimet për argëtim dhe shpenzimet mesatare gjithsej për familje sipas qarqeve? Kështu, nëse i referohemi sërish vitit 2020 një familje në qarkun e Tiranës shpenzon mesatarisht 98,737 lekë gjithsej për konsum në muaj, ndërkohë që një familje në qarkun e Kukësit shpenzon mesatarisht 70,252 lekë gjithsej në muaj, referuar të dhënave të INSTAT.

Tirana kryeson listën e qyteteve me “qejflije” në Shqipëri për vitin 2019, nëse do t`i referohemi ndarjes së mësipërme. Ky fakt, nuk është surpizues për askënd duke marrë në konsideratë numrin e lartë të popullsisë të përqëndruar në kryeqytet, nivelin e të ardhurave mujore dhe opsionet e shumëllojshme të argëtimit. Qarqet që shpenzojnë më pak, për aktivitete argëtuese janë Kukësi dhe Dibra.

Për vitin 2019, një familje në qarkun e Tiranës, shpenzon mesatarisht 19,385 në muaj për argëtim, përkundrejt një familje në qarkun e Dibrës e cila shpenzon rreth 13,358. Pas Tiranës, në renditje ndjek Korça, me rreth 16 mijë lekë, Fieri, Durrësi dhe Shkodra me rreth 15 mijë lekë. Në vendet e fundit, si qarqet me më pak shpenzime mujore për argëtim janë Dibra,Elbasani dhe Kukësi, vlera këto të lidhura ngushtë dhe me të ardhurat.

Tirana kryeson listën e qyteteve me “qejflije” në Shqipëri edhe për vitin 2020. Kështu, një familje në qarkun e Tiranës, shpenzon mesatarisht 18,168 në muaj për argëtim, përkundrejt një familje në qarkun e Kukësit e cila shpenzon rreth 12,926 lekë. Duke qenë se viti 2020 lidhet ngushtë me pandeminë dhe masat kufizuese dhe ndër sektorët më të preku janë pikërisht ata që lidhen me argëtimin, atëherë referenca më e duhur do të ishte viti para pandemisë, ai 2019.

Subkategoria e “Argëtimit” e marrë në analizë nga SCAN INTEL, përfshin shpenzimet mesatare të një familjeje shqiptare në katër kategori kryesore:1.“Pije Alkolike dhe Duhan” ku përfshihet konsumi mujor për verë, birrë, raki, whisky, likernaa, uzo, pije energjike,duhan,
cigare, puro, letër cigare, Filtër; 2.“Argetim dhe Kulturë”, ku përfshihen të githa llojet e pajisjeve audio-vizuale, aparate marrje, regjistrimi dhe riprodhimi të tingujve dhe filmave, pajisjet e përpunimit të informacionit, pajisje fotografike dhe kinematografike, instrumente optike,argëtim në ambientet e jashtme, pajisjet kryesore për lojra dhe sport, bileta, lojra fati;3.“Restorante dhe Hotele”ku perfshihen: Restorantet, bare, shërbime akomodimi, menca, shërbime të shpërndarjes së produkteve ushqimore të ofruara nga restorante;
4.“ Të tjera” ku përfshihen: Sallone bukurie dhe institucione të kujdesit personal, pajisje elektrike dhe jo-elektrike për kujdes personal, riparimi i pajisjeve për kujdes personal.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Moody`s “skanon” ekonominë shqiptare/ “E varur nga bujqësia, turizmi, moti. Të rinjtë e arsimuar do vazhdojnë të largohen”

Postimi mëparshëm

Krahasimi i Shqipërisë me rajonin/ Jemi të parët për varfërinë. Po për PBB, papunësinë, mbështetjen sociale, inflacionin?

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.