FinancëStudime

Sa kriptovaluta ka në Shqipëri? 28,559 zotërues kanë rreth $6.2 mld, me mbi 60% mbizotëron “Ethereum”

0

Tregu i kriptomonedhave prej kohësh tashmë ka marrë një vëmendje të madhe globale, pasi ka një kapitalizim prej më shumë se 1 trilionë dollarësh. Kjo vëmendje vjen jo vetëm nga fakti se ky treg po rritet me hapa të shpejtë, por edhe për faktin se bëhet fjalë për një sistem financiar të ri, që sfidon sistemin tradicional, dhe që në vetvete përbën shumë paqartësi. Edhe në Shqipëri kriptovalutat kanë marrë vëmendjen e popullsisë, paçka se është një treg që operon në informalitet thuajse total. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar një sërë raportesh, për t`i dhënë përgjigje disa pyetjeve në lidhje me përdorimin e kriptovalutave në vendin tonë. Sa zotërues kripotvalutash ka në Shqipëri? Cilat janë kriptovalutat më të përhapura në vendin tonë? Sa “peshon” portofoli i shqiptarëve me kriptovaluta? Për t`i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve janë kryqëzuar të dhëna nga raporte të ndryshme të Bankës Qendrore të Kanadasë, asaj të Gjermanisë, Universitetit të Cambridge, apo platformave si “Bitpanda”, “Binance”, “Chainalysis”, apo “Triple-a”. Të dhënat i referohen vitit 2020 dhe 2021.

Duke nisur nga pyetja e parë, sa zotërues kriptovalutash ka në Shqipëri, përgjigja është 28,559, që përkthehet në rreth 1% të popullsisë. Duhet të theksojmë se bëhet fjalë për numër portofolesh, pra jo çdo zotërues i referohet domosdoshmërisht një individi, pasi një individ mund të ketë disa porotfole. Por, me këtë shifër, si renditemi ne krahasuar me vendet e tjera të rajonit? Në vend të fundit, sipas zotëruesve në raport me popullsinë. Në vend të parë renditet Serbia, me 151 mijë zotërues kriptovalutash, që përkthehet në 1.74% të popullsisë. Më pas ndjek Mali i Zi, me rreth 10 mijë zotërues, ose 1.59% të popullsisë. Ndjek Bosnje Hercegovina me 45 mijë, ose 1.37% të popullsisë, si dhe Maqedonia e Veriut me 23 mijë zotërues, ose 1.13% të popullsisë. Kosova ndërkohë nuk është pjesë e renditjes.

Sa vlejnë kriptovalutat e shqiptarëve?

Por, çfarë vlere kanë kriptovalutat që zotërojnë këto 28 mijë portofole të shqiptarëve? Rreth $6.2 mld dollarë, sipas raportit më të fundit nga Chainalysis mbi gjeografinë e kriptovalutave për vitin 2021, i cili rendit 154 shtete të botës. Kjo vlerë na vendos ndër vendet e fundit në Europën, qendrore, veriore dhe perëndimore. Luksemburgu, Monako, Bosnje Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Islanda janë të vetmet vende të tjera europiane me një vlerë më të ulët se vendi ynë kriptovalutash në zotërim. Në Europë, në vend të parë renditet Mbretëria e Bashkuar, me rreth $170 miliardë kriptovaluta. Ndjek Franca me rreth $120 miliardë. Por, ajo që duket shqetësuese është fakti se pjesa dërrmuese e rreth $62 milionë në kripotvaluta që shqiptarët brenda Republikës zotërojnë, në fakt ndodhet në platforma të llojit DeFI, pra jo të centralizuara. Këto platforma përbëjnë një sërë rreziqesh të shtuara, kryesisht sa i përket mashtrimeve. Vetëm gjatë vitit të kaluar, në mbarë botën, raportohet të jenë vjedhur rreth $10 miliardë kriptovaluta nëpërmjet këtyre platformave, të cilat janë të bazuara në teknologjinë blockchain, por që janë tërësisht të decentralizuara. Në platformat DeFI, që duket se në Shqipëri zënë më shumë se 90%, gjë që nënvizhet edhe në tekst, ku Shqipëria evidentohet si rast përjashtues në Europë, tregtohet kryesisht Ethereum.

Cilat janë kriptovalutat e preferuara në Shqipëri?

Tani le të kalojmë pikërisht te lloji i kriptovalutave më të dashura nga shqiptarët. Nuk është aspak Bitcoin, por rivali kryesor i saj, Ethereum. Rreth 60% e rreth $6.2 mld dollarëve që shqiptarët e Shqipërisë zotërojnë në kriptovaluta është në formën e Ethereum. Kjo normë e lartë na vendos ndër vendet e para në Europë. Vetëm Portugalia ka një normë më të lartë se Shqipëria të peshës së Ethereum mbo totalin e kriptovalutave, sipas raportit mbi gjeografinë e kriptovalutave nga Chainalysis. Në vend të dytë në Shqipëri renditen ato që njihen si `stablecoins`, pra kriptovaluta të cilat janë të lidhura me nja aset rezervë, siç mund të jenë valutat, psh dollari amerikan. Këto lloj kriptovalutash kanë më pak luhatshmëri në treg, duke i bërë kështu të preferuara nga individët investitorë. Kriptovalutat tradicionale, si Bitcoin apo Ethereum njihen për një luhatshmëri mjaft të madhe, edhe ditore, me luhatjet që shpeshherë janë edhe dyshifrore në harkun e disa orëve, duke i bërë kështu jo të favorshme si mjet i përditshëm transaksionesh. Rreth 10% e totalit janë Bitcoin, dhe rreth 5% kriptovaluta të tjera.

Indeksi i adoptimit të kriptovalutave, ku renditet Shqipëria?

Raporti në fjalë, i Chainalysis, përmban edhe një indeks, që mat adoptimin e kriptovalutave në 154 shtete të botës. Por ku renditet Shqipëria? Në vendin e 94-tët në botë, nga vendi i 118-të që ishte në vitin 2020, në të njëjtin raport. Krahasuar me rajonin ndërkohë, Shqipëria është e dyta në renditje, pas Serbisë, që mban vendin e 62-të. Ky indeks bazohet mbi 3 shtylla kryesore dhe disa indikatorë të ndryshëm, si dhe peshohet mbi ekonominë e vendit. Pra, aktiviteti i kriptovalutave në secilin prej 154 shteteve të marra në analizë peshohet mbi paritetin e fuqisë blerëse për frymë të atij shteti, duke i dhënë kështu përparësi vendeve me zhvillim ekonomik më të ulët. Kjo do të thotë se, në rast se dy shtete kanë një aktivitet të barabartë të kripotvalutave, përparësi në renditje, duke e pozicionuar më lart i jepet atij shteti që ka një ekonomi më të dobët. Në këtë indeks Shqipëria grumbullon 0.03 pikë, me një pikëzim nga 0 në 1, ku sa më afër vlerës 1 të jetë pikëzimi, aq më e lartë është edhe renditja. Në nivel global, në vend të parë renditet Vietnami, ndjekur nga India dhe Pakistani.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tetori ul aplikimet për azil/ Por, vazhdojmë të jemi të parët në rajon

Postimi mëparshëm

Sa para harxhojnë shqiptarët në bixhoz? Rreth 17 milionë euro në vit, bazuar në lojrat e fatit legale

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.