Huatë e reja nga sistemi bankar gjatë muajit të parë të vitit kanë qenë 11.3 mld lekë, tregojnë shifrat zyrtare. Kjo shifër është më e ulët krahasuar me muajt paraardhës, gjë që është edhe efekt sezonal, duke qenë se janari nuk është aspak ndër muajt e preferuar për huamarrje. Por, nga ana tjetër, po ta krahasojmë me muajt janar të 5 viteve të kaluara, shifra e huave të reja gjatë 2021 rezulton të jetë më e ulta. Krahasuar me janarin e vitit paraardhës, huatë e reja regjistrohen në rënie me 15.9%. Kjo rënie duket se është rrjedhojë vetëm e sektorit privat. Huaja për koorporatata jofinanciare private ka prekur nivelin më të ulët gjatë këtij janari, krahasuar me 5 vitet paraardhëse, duke qëndruar në rreth 7.3 mld lekë, nga rreth 9.2 mld lekë që ishte janarin e vitit të kaluar, apo rreth 14.5 mld lekë që ishte në janarin e vitit 2018. Krahasuar me një vit më parë, rënia në këtë segment fiksohet në masën 20%, tregojnë shifrat zyrtare.
Jo e njëjta gjë mund të thuhet për individët. Kredia për individët shënon një rënie ndjeshëm më të lehtë gjatë janarit, krahasuar me një vit më parë, duke zbritur në rreth 4 mld lekë, nga rreth 4.1 mld që ishte. Shifra rezulton të jetë madje medhe më e lartë se niveli i vitit 2019, 2016 dhe 2017. Ajo që bie tjetër në sy sa i përket individëve është fakti se kredia për blerje banese në lekë gjatë janarit ka prekur nivelin më të lartë të 6 viteve të fundit, në rritje me plot 39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në euro, segmenti i kredisë për blerje banese regjistrohet në rritje në terma vjetorë, prej 9.6%, si dhe duke regjistruar shifrën e dytë më të lartë gjatë 6 viteve të fundit, pas janarit të vitit 2018. Te individët vihet re gjithashtu një rënie e ndjeshme e huamarrjes në formë overdrafti, në minimumin historik të 6 viteve, si ne euro, ashtu edhe në lek.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments