Financë

Rriten sigurimet e pronës dhe sëmundjeve. Tërmeti dhe pandemia nxisin trendin, rënie e ndjeshme e siguracioneve motorike

0

Treguesit më të fundit nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF) sa i përket ecurisë së tregut të sigurimeve gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, sinjalizojnë një rënie prej 28.93% të kontratave në total këtë vit si dhe një rënie me 5.43% të primeve të shkruara bruto, të cilat aktualisht fiksohen në rreth 13.5 mld lekë, çka përkthehet në rreth 108 mln euro, në rënie me diçka më shumë se 6 mln euro krahasuar me të njëjtën periduhë të 2019-ës.

Sigurimet e jo-jetës zënë pjesën dërrmuese të portofolit të sigurimeve të shqiptarëve, ndërkohë që kanë rritur edhe më tej peshën e tyre, për të kaluar normën e 93%. Është pikërisht ky segment i tregut të sigurimeve që ka nxitur edhe rënien më të madhe këtë vit, në masën 83%, paçka se disa segmente, regjistrojnë rritje. Më saktësisht, rënia gjatë këtij viti e primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve, në masën 74%, është “financuar” nga rënia e ndjeshme e sigurimit të të mjeteve motorike. Ky zë ka pësuar një rënie me 6.32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë sa i përket primeve të shkruara bruto. Kjo rënie e ndjeshme duket të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e krizës së shkaktuar nga pandemia dhe goditjes së madhe që i ka dhënë sektorit të transportit.

Por, ajo që bie në sy nga të dhënat e AMF është fakti se dy prej segmentëve të jo-jetës, që lidhen drejtpërdrejtë me dy goditjet që ka pësuar vendi, regjistrojnë rritje; sigurimi i pronës ndaj fenomeneve natyrore, si dhe sigurimi i sëmundjeve. Sigurimi i pronës ndaj fenomeneve natyrore, ku përfshihet edhe tërmeti, ka regjistruar një rritje prej 18.77% gjatë janar-tetorit të këtij viti, krahasuar me një vit më parë, për të prekur shifrën e 1.12 mld lekëve sigurime, ose rreth 9 mln euro. Sigurimi i sëmundjeve ndërkohë është rritur me 14.22%, për një vlerë prej 615 mln lekësh, ose rreth 5 mln euro.

Sigurimi i pronës ndaj fatkeqësive natyrore është segmenti i dytë me më shumë peshë në portofolin e sigurimeve të jo-jetës, ndërsa ai ndaj sëmundjeve zë vendin e 5-t, pas atyre të mjeteve motorike, që njihen ndryshe si siguracionet kasko dhe përgjegjësive civile.

Pavarësisht tendencës në rritje për t`u siguruar ndaj sëmundjeve, shifrat flasin për nëj tkurrje të segmentit të sigurimeve të jetës, të cilat lidhen gjithashtu me pandeminë. Rënia e këtij segmenti në terma të primeve të shkruara bruto, fiksohet në masën 6.68%, tregojnë të dhënat zyrtare nga AMF.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi shqiptar nën pandeminë – Jemi ndër 10 vendet me rënien më të madhe në Europë

Postimi mëparshëm

Kursimet e shqiptarëve. Me pandeminë, shifra më e lartë që prej 2012-ës, Gushti muaji me më shumë kursime

Postimi vijues

Comments

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.