Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë, sa i përket instrumentave të pagesave, tregojnë se numri i transaksioneve nëpër terminalet POS gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022 është rritur krahasuar me tremujorin e parë të të njëjtit vit. Sa i përket numrit të transaksioneve me kartë(në POS), ato fiksohen në 2,57 milion veprime pagesash për tremujorin e dytë nga 2,28 mln veprime gjatë tremujorit të parë. Ndërkohë, në vlerë, shqiptarët kanë paguar me karta nëpërmjet POS rreth 10,43 mld lekë gjatë tremujorit të parë të 2022 dhe 11,86 mld gjatë tremujorit të dytë të 2022.
Në numër transaksionesh rritja fiksohet në 11%, ndërsa në vlerë në 12%. Të dy këta tregues sinjalizojnë se, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, përdorimi i kartave në terminalet POS është rritur krahasuar me tremujorin paraardhës, të paktën sa i përket parasë së kanalizuar në sektorin bankar. Diferenca mes dy tremujorëve fiksohet në 293,887 transaksione. Ky indikator vlerësohet si ndër më të rëndësishmit në tranzicionin drejt parasë elektronike.
Por, nga ana tjetër, shifrat tregojnë gjithashtu se, vetëm gjatë qershorit numri i transaksioneve nëpër terminalet POS ka rënë lehtë krahasuar me majin, me -3.1%, por është rritur në vlerë. Rritja e përdorimit të kartave si mjet pagese gjatë tremujorit të dytë të vitit është edhe rrjedhojë e flukseve më të larta të njerëzve gjatë kësaj periudhe kohore, si pasojë e turizmit.
Të tjera të dhëna nga Banka e Shqipërisë, sinjalizojnë se numri i POS të vëna në sherbim nga subjektet për qytetarët ka ardhur gjithnjë dhe në rritje. Në rang vendi, regjistrohen rreth 14,651 terminale POS, nga të cilat 37 POS me funksion tërheqje cash, si dhe 14,633 terminale EFTPOS. I njëjti fenomen vërehet edhe sa i përket numrit total të kartave, të cilat për tremujorit të dytë të këtij viti fiksohen në 1,344,781 të tilla.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments