Financë

Rezervat ndërkombëtare arrijnë në 4.05 mld euro. Rritje me 729 mln euro në një vit, ulet pesha e titujve, zgjerohen monedhat dhe depozitat

0

Stoku i rezervës ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë ka prekur nivelin e 4.05 mld eurove, nga 3.83 mld euro që ishte në muajin shkurt të këtij viti, tregojnë shifrat zyrtare. Ndërkohë, në muajin mars të vitit të kaluar, kjo shifër fiksohej në rreth 3.3 mld euro. Pra, në një vit, rezervat ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë janë rritur me 729 mln euro. Në terma mujorë, pra krahasuar me muajin shkurt, rritja e rezervës ndërkombëtare fiksohet në rreth 5.6%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Kjo rritje vjen pas dy muajsh me radhë në rënie, si dhe është e dyta më e lartë pas qershorit të vitit të kaluar. Për të gjetur normën tjetër më të lartë duhet të shkojmë deri në tetor të vitit 2018. Në qershor të vitit të kaluar, rezervat ndërkombëtare rriteshin në terma mujorë me rreth 20%, ndërkohë që në tetor të vitit 2018 rriteshin me rreth 7.7%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Mjetet e rezervës të shprehura në ar monetar dhe ato në tituj borxhi regjistrohen në rënie në terma mujorë, ndërkohë që ato të shprehura në monedhë dhe depozita regjistrohen në një rritje të ndjeshme, prej 12.7%, duke prekur nivelin e rreth 1.8 mld eurove.


Ajo që vihet re nga analiza e të dhënave të shifrave të mjeteve të rezervës ndërkombëtare është fakti se, pesha e titujve të borxhit mbi mjetet e rezervës është ulur ndjeshëm në harkun e një viti. Në mars të vitit të kaluar, rezervat ndërkombëtare në formë titujsh borxhi zinin 62% të totalit, ndërsa në mars të këtij viti kjo normë ka zbritur në 47%. Rritje të ndjeshme regjistrojnë ato të shprehura në monedha dhe depozita, nga 31% në 2020-ën, në 45% në mars të këtij viti, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“INSTAT” zhvlerëson rritjen ekonomike për vitin 2019

Postimi mëparshëm

43% e familjeve shqiptare nuk kanë asnjë pasuri financiare, por rritet pesha e atyre që i kanë paratë në bankë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.