Financë

Remitancat prekin rekordin 12-vjeçar/ Arrijnë në 761 mln euro, niveli më i lartë që pej 2009-ës

0

Dërgesat nga emigrantët kanë prekur gjatë vitit të kaluar nivelin më të lartë që prej 2009-ës, duke i`u rikthyer kështu niveleve të para krizës financiare globale. Shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se përgjatë të gjithë vitit 2021, niveli i remitancave në vendin tonë fiskohet pranë 761 milionë euro, duke përfaqësuar shifrën më të lartë në 12 vite. Në 2009-ën, remitancat vlerësoheshin në 782 milionë euro. Gjatë vitit pararendës, në 2020-ën, remitancat fiksoheshin në 674 milionë euro. Pra, në harkun e një viti, dërgesat nga emigrantët janë rritur me 87 milionë euro, ose me rreth 13%. Edhe në terma nominalë kemi të bëjmë me rritjen më të madhe në 12 vite. Rekord shënon edhe tremujori i fundit i vitit të kaluar, me një fluks remitancash prej 221 milionë euro, sërish niveli më i lartë që prej tremujorit të 4-tët të vitit 2009, kur kjo vlerë fiksohej në 227 milionë euro.

Kriza financiare globale shkaktoi një rënie të ndjeshme të dërgesave të emigrantëve në vendin tonë, dhe në vitet 2013, 2014, 2015 niveli ra nën 600 milionë euro. Ndërkohë, pandemia duket se ka nxitur një rritje të interesit të emigrantëve për vendin e lindjes. Një prej arsyeve lidhet me shpenzimet e rritura për shëndetin, me Covid-19 që ka pasur impakt të drejtpërdrejtë në portofolin e familjeve shqiptare. Një tjetër faktor që mund të arsyetojë rritjen e remitancave lidhet edhe me formalizimin e tyre. Pra, masat kufizuese bënë që shumë emigrantë mos të rikthehen në atdhe për pushime, gjë që reflektohet edhe nga të gjitha shifrat zyrtare gjatë periudhës së pandemisë, duke i kanalizuar shumicën e tyre në kanalet zyrtare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

A kursejmë me dritat e makinës fikur ditën? PO! Shqipëria mund të kursejë deri në 18 mln euro në vit

Postimi mëparshëm

Turistët shpenzuan 1.91 mld euro në Shqipëri vjet/ 988 mln euro më shumë se në 2020-ën. Me 199 euro për frymë, “thyhet” edhe 2019

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.