Sociale

Qytetaria ngel në klasë/ Provimi më i preferuar në maturë, por 380 nxënës morën notën 4. Lëndët natyrore “mundin” shoqëroret

0

Ura e kalimit nga nxënës në student janë provimet e maturës shtetërore dhe rezultatet që arrijnë maturantët në secilën lëndë. Janë pikërisht këto rezultate të lëndëve të detyruara dhe atyre me zgjedhje të cilat shndërrohen në profesionin e ardhshëm. Pavarësisht rëndësisë së rezultateve në lëndët e detyruara, lëndët me zgjedhje janë ato të cilat përcaktojnë degën e preferuar në universitet. “Scan Intel” ka bërë një analizë të rezultateve të lëndëve me zgjedhje për të parë se si kanë dalë maturantët në lëndët që ato vetë i kanë zgjedhur dhe të cilat janë pëcaktuese për drejtimin e profesionit që duan. Sipas të dhënave, refeuar portalit studentor, lëndët me zgjedhje për gjimnazet janë tetë, duke filluar nga shkencat natyrore e deri të ato sociale apo edhe ekzakte. Shifrat tregojnë se ndër lëndët me zgjedhje ajo me numrin më të lartë të maturantëve është “Qytetari dhe Psikologji” me 9,750 maturantë, ndjekur nga “Ekonomia” me 7,321 dhe “Biologjia” me 5,975. Lënda e cila regjistron numrin më të ulët të maturantëve është “Kimia”, me 160 maturantë dhe “Historia”, me 233 matuarantë.

Në pamje të përgjithshme të dhënat tregojnë se lënda e cila ka më shumë maturantë të vlerësuar me notën 4.00 është “qytetaria dhe psikologjia” me 380 ngelësa. Për të patur një panoramë sa më reale të rezutateve “Scan Intel” ka shkuar më tej duke analizuar raportin e maturantëve të vlerësuar me notën 4.00 me numrin total të maturantëve për secilën nga lëndët me zgjedhje. Shifrat tregojnë se përqindja më e lartë e maturantëve ngelës regjistrohet në lëndën e gjeografisë, ku nga totali i atyre që e kanë zgjedhur, 14.7% kanë marrë notën 4.00. Lënda e filozofisë dhe sociologjisë është e dyta me përqindjen më të lartë të maturantëve ngelës, me 13.7%, ndjekur nga historia me 9.9% dhe qytetaria me 3.9%. Ajo që vihet re është se janë lëndët me karakter social ato të cilat kanë përqindjen më të lartë të maturantëve ngelës. Por përse ndodh kjo? Ndonjëherë këto lëndë shihen si më të lehta nga ato ekzakte dhe nënvlerësohen duke mos u kushtuar rëndësinë e duhur dhe duke mos u thelluar në to. Të dhënat gjithashtu tregojnë se një nivel i ulët regjistrohet sidomos në lëndët e gjeografisë dhe historisë. Jo vetëm që regjstrojnë përqindjen më të lartë të maturantëve të cilët kanë ngelur, por nga ana tjetër janë të vetmet lëndë me zgjedhje të cilat nuk regjstrojnë asnjë notë maksimale, pra notën 10.00. Po ashtu, këto dy lëndë kanë edhe mesataren më të ulët nga lëndët e tjera. Sa i përket ekselencës, numrin më të lartë të notës 10-të e regjistron lënda e biologjisë, por në raport me numrin e maturantëve përqindjen më të lartë të notës 10-të e ka lënda e fizikës me 3.2%, ndjekur nga kimia, me 3.1% të maturantëve të vlerësuar maksimalisht. Lënda “Qytetari dhe Psikologji” si dhe “Filozofi dhe Sociologji” regjistrojnë vetëm nga një notë 10.00.

Nëse do të flisnim për mesataren, rezultatin më të lartë e ka arritur lënda “Kimi” me një mesatare prej 8.57, ndjekur nga “Fizika” dhe “Ekonomia”. Nga ana tjetër, mesataren më të ulët e regjistron lënda “Gjeografi” dhe “Histori”. Nga kjo pasqyrë e të dhënave del se maturantët të cilët kanë zgjedhur lëndë të shkencave ekzakte apo ato të natyrës janë të paktë në numër. Nga ana tjetër, shifrat tregojnë se për nga numri i pjesëmarrjes ato të cilët kanë zgjedhur lëndë të shkencave sociale janë më të shumtë në numër dhe kjo bën që mes tyre të ketë kategori të ndryshme maturantësh. Në këtë kategori mund të ketë nga ata maturantë të cilët e zgjedhin një lëndë thjeshtë për të marrë vitin pasi në të vërtetë nuk është se duan të shkojnë në universitet dhe për ta lëndët më të thjeshta janë ato sociale.

Nga analiza e të dhënave qarku i Kukësit duket se këtë vit ka nxjerrë maturantët më të mirë, referuar notës. Kjo pasi notat mesatare më të larta për të gjitha lëndët regjistrohen pikërisht në këtë qark. Për lëndën e matematikës qarku i Kukësit e regjistron mesataren 8.38, për lëndën gjuhë-letërsi 7.77, për gjuhën e huaj 8.37, ndërsa për lëndët me zgjedhje 8.52. Në matematikë qarku me mesatren më të ulët është qarku i Beratit me 6.03, në gjuhë-letërsi është qarku i Dibrës me mesatare 7.2, në lëndën e gjuhës së huaj është përsëri qarku i Dibrës me 7.23, ndërsa për lëndët me zgjedhje qarku me mesataren më të ulët rezulton përsëri Berati. Pra në mënyrë të përmbledhur, të dhënat tregojnë se rezultatet me të dobëta janë shënuar në qarkun e Beratit dhe të Dibrës dhe ato më të lartat në Kukës.

Le të kthehemi te rezultatet e lëndëve të detyruara për të parë se sa është përqindja e maturantëve ngelës dhe ekselentë për secilën lëndë. Përqindja më e lartë e ngelësve në raport me totalin e maturantëve të cilët kanë kryer provimin regjistrohet në lëndën e matematikës me 5.8%, ndjekur nga lendët me zgjedhje me 3.8%. Sa i përket maturantëve të cilët kanë marrë notën maksimale, përqindja më e lartë vërehet në lëndën e gjuhës së huaj me 2.05%, ndjekur nga matematika me 0.78%. Lënda “Gjuhë-Letërsi” ka përqindjen më të ulët të notave maksimale me vëtëm 0.01%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Maji, rekord turistësh të huaj/ 83,9% më shumë hyrje, numri më i lartë në shtatë vitet e fundit, Spanja me rritjen më të madhe

Postimi mëparshëm

2021, vit i “ëmbël” për shqiptarët/ Bletaria 5,000 ton mjaltë. Gjirokastra, qarku me prodhimtarinë më të ulët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.