Raporte

Programi buxhetor fjalë për fjalë/ Turizmi, bujqësia, inovacioni, emergjencat, pensionet, karburanti, çmimet, reformat, “në hije”. Të ardhurat “mundin” shpenzimet

0

Dokumentet e zgjeruara publike, sidomos ato që i referohen politikbërjes tregojnë shumë për qasjen e qeverisjes ndaj sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe aspekte të ndryshme të administratës, shoqërisë, etj. Programi buxhetor afat-mesëm për vitet 2023-2025 është ndër të fundit dokumente të tilla që është publikuar dhe tregon pikërisht planifikimin buxhetor për 3 vitet e ardhshme. Ashtu siç ka ndodhur edhe herë të tjera, “Scan Intel” e ka analizuar këtë dokument në një tjetër këndvështrim, fjalë për fjalë, duke numëruar fjalët, cilat janë përdorur më shumë dhe cilat më pak. Frekuenca e përdorimit të fjalëve të caktuara jo domosdoshmërisht lidhet me një vëmendje të shtuar apo një vëmendje të munguar për sektorë të caktuar, por tregon një lloj qasje të qeverisjes ndaj politikave publike në tre vitet e ardhshme.

Në total i gjithë dokumenti numëron më shumë se 660 mijë fjalë. Duke `zhveshur` ndajfoljet apo numrat, fjala më e përdorur është pikërisht “buxheti” me rreth 19 mijë herë, ndjekur nga “të ardhurat” me rreth 12 mijë herë, si dhe “parashikimi” me diçka më shumë se 10 mijë herë. Mes 10 fjalëve më të përdorura gjejmë edhe “financim”, “transferta”, “kosto”, “kapitale” apo “produkt”. Por, asnjë prej këtyre fjalëve nuk e përshkruan dot frymën e përgjithshme. Për këtë arsye, “Scan Intel” i ka analizuar fjalët me peshë me detaje, dhe surprizat janë jo të pakta. Ndryshe nga analiza e përgjithshme e fjalëve, analiza e detajuar është e fokusuar te rrënja e fjalës, pra nëse themi ekonomi, përfshihen edhe fjalët që kanë të njëjtën rrënjë, si ekonomia, ekonomik, etj.

Bie në sy fakti se fjala “karburant” është përdorur vetëm 5 herë dhe ajo “çmim” vetëm 10 herë”, paçka se flitet për 2 fjalë të cilat përfaqësojnë problemin numër një të familjeve dhe bizneseve shqiptare aktualisht. Edhe fjala “emigrim” përmendet vetëm 2 herë, pavarësisht faktit se kemi të bëjmë me një prej plagëve më të mëdha të shoqërisë shqiptare. Fjala “mirëqenie” përmendet vetëm 20 herë. “Inovacioni” si rrënjë fjale përdoret vetëm 18 herë, ndërsa “emergjencat civile”, vetëm 6 herë, pavarësisht faktit se Shqipëria ndër vite përjeton dëme të mëdha në njerëz dhe në ekonomi si pasojë e forcës së natyrës. Kujtojmë këtu tërmetet e vitit 2019, përmbytjet ndër vite, si dhe zjarret e vazhdueshme gjatë stinës së nxehtë. “Reformë” ndërkohë përmendet 54 herë. “Argëtim” përmendet vetëm 4 herë dhe “arti” 12 herë.

Në rast se analizën do ta zhvendosnim drejt grupeve të ndryshme shoqërore shohim se “pension/pensionist” përmendet 39 herë, “student” 97 herë, “fermer” po 39 herë, “të papunët” 53 herë.

Sipas sektorëve publik shohim se “arsimi” përmendet 381 herë, “shëndetësia” 233 herë, “infrastruktura” 168 herë. “Zhvillim” figuron 409 herë dhe “investim” 227 herë. “Mjedisi” ndërkohë rezulton plot 126 herë. Ndër të tjera, shohim se fjala “të ardhura” përmendet rreth 12 mijë herë, ose 2 mijë herë më shumë se “financim”, “shpenzime” dhe “investime” të marra së bashku. ”Koncesion/ppp” përmenden 41 herë.

Referuar sektorëve të ekonomisë ndërkohë bie në sy “turizmi”, që përmendet vetëm 53 herë si rrënjë fjale. “Ndërtimi” përmendet 355 herë, “energjia” 138 herë, “bujqësia” 76 herë, “industria” 73 herë, “paluajtshme” (referuar pasurisë) përmendet vetëm 4 herë, “pronë” 48 herë dhe fjala “tregti” 26 herë. “Biznes” dhe “sipërmarrje” ndërkohë rezultojnë me një frekuencë prej 88 fjalësh.

Në një prizëm disi më politik vëmë re se “opozita” përmendet 3 herë, dhe “integrimi”, 61 herë.

Pra, në tërësi, nga kjo analizë sipërfaqësore, fjalë për fjalë e programit buxhetor afat-mesëm 2023-2025 kuptojmë se sektorë dhe aspekte si turizmi, bujqësia, çmimet, karburantet, inovacioni, emergjencat civile, reformat, biznesi marrin një vëmendje disi më të ulët se fjalë të tjera të cilat janë më në “ajër”, pra fjalë të përgjithshme, si zhvillimi, buxheti, financimi, etj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa fshatra ka Shqipëria? Rreth 2994, mesatarisht kanë nga 492 banorë/fshat, krahasimi mes qarqeve

Postimi mëparshëm

Përse vijnë të huajt në Shqipëri? Vetëm gjysma për punësim, pjesa tjetër, bashkim familjar dhe arsye humanitare

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.