“Credit Suisse” ka publikuar raportin global të pasurisë për vitin 2021, ku merren në analizë të gjitha vendet e botës, përfshirë Shqipërinë. Raporti sjell të dhëna mjaft interesante sa i përket pasurisë së shqiptarëve gjatë vitit 2020, krahasimit ndër vite dhe krahasimit me vendet e tjera të rajonit apo botës, si dhe ndarjen e kësaj pasurie sipas tipologjisë apo madhësisë. Raporti për vitin 2021, që i referohet vitit 2020, atij të pandemisë, flet për një pasuri totale të shqiptarëve pranë $67 miliardë, nga $66 miliardë që ishte vitin paraardhës, pra në rritje me vetëm 1 miliardë dollarë. Pasuria mesatare e një shqiptari të rritur vlerësohet në 30,524 dollarë sipas “Credit Suisse”. Si pasuri nuk vlerësohet vetëm ajo financiare, por edhe asetet, ku për shqiptarët mbizotëron prona e paluajtshme. Sa i përket vetëm pasurisë financiare, ajo e një shqiptari të rritur vlerësohet në $4,863 për person gjatë vitit 2020, nga $4,578 që ishte vitin paraardhës. Ndërkohë që pasuria mesatare për person në Shqipëri fiksohet në rreth $30,500, ajo mediane fiksohet në rreth 15.363 dollarë për person. Ky hendek i madh që sjellin dy formulat matematikore është tipik për shtetet ku pasuria është e përqëndruar në një dorë të vogël njerëzish. Për vende si Shqipëria, metodologjia e medianës është më e saktë për të matur pasurinë për frymë.
Duke bërë një krahasim me vendet e tjera të rajonit sa i përket këtij treguesi, rezulton se Shqpiëria lë pas vetëm Bosnje Hercegovinën, me një pasuri mediane për person pranë 15.283 dollarë. Mali i Zi është në vend të parë absolut në rajon, me shifrën rreth $30 mijë për person. Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë marrë në analizë.
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar ndarjen e pasurisë së shqiptareve në popullsi, ku vihen re disa zhvendosje me rëndësi. Janë rreth 54.2% e shqiptarëve që kanë një pasuri mes $10,000-$100,000 , ndërkohë që vitin paraardhës ishin rreth 57.9%, pra një rënie me 3.7 pikë përqindje. Nga ana tjetër, shqiptarët e rritur me një pasuri nën $10,000 janë 41% e totalit, nga 38% që ishin vitin paraardhës. Shqiptarët me një pasuri mes $100,000 dhe $1 milionë janë rritur me 0.8 pikë përqindje, duke zënë tashmë 4.7% të totalit. Pra, siç duket qartë nga shifrat, shtresa e mesme është tkurrur ndjeshëm, dhe pjesa dërrmuese e atyre që i janë larguar kësaj shtrese, janë varfëruar, dhe vetëm një pjesë e vogël janë pasuruar. Të pasurit ndërkohë, ata me një pasuri mbi $1 milionë, vijojnë të mbeten vetëm 0.1% e popullsisë. Sipas llogarive mbi popullsinë dhe pasurinë, ku 3% e shtresës së mesme është zhvendosur drejt asaj të varfër në një vit, rezulton se në total janë rreth 65 mijë individë të varfëruar dhe vetëm 15 mijë të pasuruar.
Klikoni këtu për raportin e plotë
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments