Kriminaliteti i të miturve është padiskutim një prej fenomeneve më shqetësuese në një shoqëri. Shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave në lidhje me veprat penale, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan intelligence Unit” hedhin më shumë dritë në këtë drejtim, bazuar në fakte. Sipas shifrave, rreth 8% e autorëve të veprave penale në të gjithë territorin e Republikës gjatë vitit 2020 ishin të mitur, nën 18 vjeç. Në total bëhet fjalë për 3308 të mitur autor të veprave penale, nga 40956 gjithsej. Shifra e përgjithshme është në rritje të ndjeshme krahasuar me vitin pararendës, kur fiksohej në vetëm 3.1%. Pra, një prej fenomeneve më shqetësues që ka marrë shtysë nga situata e krijuar nga pandemia është edhe ai i kriminalitetit të të miturve. Në vitin 2018 ndërkohë, norma e të miturve mbi totalin e autorëve të veprave penale fiksohej në 5.66%.
Por, norma e autorëve të veprave penale të cilët janë të mitur, mbi totalin, nuk është aspak e njëjtë nga qarku në qark. Pra, cili është qarku me kriminialitetin më të theksuar të të miturve? Tirana! Në kryeqytet, të miturit zënë plot 13.99% të autorëve të veprave penale, si asnjë qark tjetër i vendit, dhe me një diferencë të ndjeshme me ndjekësit. Madje, asnjë qark tjetër nuk e kalon mesataren kombëtare prej 8.07%. Të 11 qarqet e tjera regjistrojnë një normë nën këtë mesatare. Gjithsesi, pas Tiranës, paçka se me një diferencë të ndjeshme ndjek qarku i Durrësit me 6.04%. Më pas ndjek qarku i Shkodrës, me 5.1%, si dhe ai i Kukësit me 4.96%. Nga krahu tjetër ndërkohë, gjejmë qarkun e Gjirokastrës dhe atë të Korçës, ku të miturit përbëjnë vetëm rreth 2.2% të autorëve të veprave penale në qark. Gjithashtu vëmë re se Tirana i ka zënë vendin Durrësit në këtë renditje, pasi në vitin 2018, në Durrës norma fiksohej në 13.2%, ndërsa në Tiranë vetëm 4.89%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments