Financë

Pandemia nuk e shmangu dot cash-in! Pagesat me kartë dhe homebanking rriten me hap më të ngadaltë se vitet e kaluara

0

Nga “Scan Intelligence Unit”

Numri i transaksioneve nëpër pikat POS me kartë gjatë vitit të kaluar ka arritur në 5.8 milionë gjatë vitit të kaluar, nga rreth 4.9 milionë që ishte vitin paraardhës. Ky tregues ka tendencën të rritet nga viti në vit, për shkak të përhapjes së shpejtë të teknologjisë por edhe rritjes së edukimit financiar të popullatës. Rritja në vitin 2020 fiksohet kështu në 18%, ndërkohë që vitin paradhës ishte dy herë më e lartë, në rreth 36%. Nga ana tjetër, duhet llogaritur fakti se ky tregues është ndikuar ndjeshëm edhe nga mungesa e turistëve gjatë vitit të kaluar, të cilët janë edhe ndër përdoruesit më besnik të këtyre lloj pagesash, pra pa para fizike. Duke llogaritur pikërisht këta faktorë, është e vështirë të arrish në një përfundim, në rast se pandemia ka ndikuar për mirë në këtë drejtim, pra a janë “ftilluar” shqiptarët me pandeminë, për të shmangur disi pagesat cash. Por, ndërkohë që numri i transaksioneve është rritur, në rënie vihet re vlera e transaksioneve të kryera nëpër terminalet POS, nga rreth 26.2 mld lekë, në 25.5 mld lekë gjatë 2020-ës. Kjo është hera e parë që prej viteve 2013-2014 që ky tregues vjen në rënie. Gjithsesi, edhe në këtë rast, shifra ka pasur padiskutim ndikim nga mungesa e tursitëve të huaj.

Një tjetër tregues që sinjalizon kalimin drejt pagesave alternative, pra jo cash, është tendenca e homebanking. Shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, numri i transaksioneve është rritur në rreth 4.1 milionë gjatë 2020-ës, nga rreth 3.6 milionë që ishte vitin paraardhës. Rritja fiksohet në masën 13.7%, që është edhe vlera më e ulët që prej vitit 2015. Edhe numri i transaksiomeve në vlerë, në rritje me 8.8% gjatë 2020-ës, rezulton me një normë rritje ndjeshëm më të ulët se mesatarja e viteve të kaluara.

Shqipëria vlerësohet ndër vendet me përdorimin më të lartë të cash-it në ekonomi, çka përkthehet në kosto të shtuara për ekonominë. Përdorimi i parasë fizike, sipas vetë Bankës së Shqipërisë i kushton ekonomisë, aktualisht, rreth 1.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Një shqiptar duhet të punojë 40.2 vite për të fituar atë që Elon Musk fiton në një minutë, “SIU” analizon shifrat, krahasimi me Europën

Postimi mëparshëm

Tregtia elektronike, 38.2% të saj e zë akomodimi dhe aktivitetetet e shërbimit të ushqimit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.