Sociale

Pandemia i mori Elbasanit 2.8 vite jetë/ Tirana ndjek me 2.7 vite të “humbura”, Dibra i vetmi qark me rritje të jetëgjatësisë

0

“Scan Intelligence Unit” ka siguruar përmes “Institutit të Statistikave”, informacione të tjera shtesë mbi jetëgjatësinë në lindje. Siç e kemi theksuar dhe në analizën e mëparshme, treguesi i jetëgjatësisë mat kohën që pritet të jetojë një person duke marrë parasysh normat e vdekshmërisë, për vitin aktual, pra në këtë rast për vitin 2020. Shifrat e analizuara tregojnë se gjatë vitit 2020, jetëgjatësia në lindje ka rënë për herë të parë që nga vitit 2011-të kur edhe të dhënat janë publike, si pasojë e pandemisë. Këtë herë, “Scan Intelligence Unit” ka analizuar jetëgjatësinë e pritur në lindje, nga viti 2019-të në vitin 2020, sipas qarqeve, për të kuptuar më mirë ndikimin e pandemisë. Elbasani duket se është qarku ku pandemia ka shtrirë ndikimin më të madh sa i përket këtij treguesi. Kujtojmë se në rang kombëtar, shqiptarët kanë “humbur” mesatarisht 1.7 vite jetë si pasojë e covid-19. Në këtë qark, jetëgjatësia e pritur në lindje për popullsinë e përgjithshme ka rënë me 2.8 vite. Qarku i dytë ku pandemia ka patur po ashtu një ndikim të madh është Tirana, ku jetëgjatësia në lindje shihet të ketë rënë me 2.7 vite. Nga ana tjetër, jetëgjatësia e pritur në lindje në Dibër duket se nuk e ka ndjerë ndikimin e pandemisë. Për këtë qark, ky tregues është rritur, më 0.4 vite. Kukësi, Vlora, Gjirokastra apo Korça radhiten gjithashtu ndër vendet e fundit të tabelës, me vite të humbura jetë më pak se mesatarja kombëtare apo qarqet e radhitura në krye.

“Scan Intelligence Unit”, përpos jetëgjatësisë së pritur në lindje për popullsinë e përgjithshme, e ka analizuar gjithashtu këtë tregues sipas gjinisë dhe qarqeve. Meshkujt në Lezhë duket se janë më të ndikuar nga pandemia, pasi jetëgjatësia e tyre në lindje për vitin 2020 ka rënë me 3.6 vite. Ndikim të madh po ashtu ka patur dhe në qarqe si Tirana dhe Elbasani, me një rënie prej 3.5 vite secili. Jetëgjatësia e pritur në lindje për meshkujt ka mbetur e pandryshuar për qarkun e Dibrës, ku regjistrohet 77.2 vite, si për 2019-ën ashtu  edhe për 2020-ën. Nëse do të flasim për femrat, shohim se jetëgjatësia në lindje për vitin 2020, ka pësuar rënien më të madhe në qarkun e Elbasanit, me 2.1 vite, ndjekur nga qarku i Tiranës, me 1.9 vite. Edhe për femrat duket se veriu është më i fortë përballë pandemisë. Në Dibër dhe në Kukës, jetëgjatësia e pritur në lindje për femrat gjatë vitit 2020 është rritur me 0.8 vite dhe 0.3 vite respektivisht, krahasuar me vitin 2019-të.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Rusi-Ukrainë” në ekonominë shqiptare/ 156 mln euro shkëmbime tregtare në vit, sa 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto

Postimi mëparshëm

Cilët janë tatimpaguesit më të mëdhenj në Shqipëri? “BKT”, “BALFIN”, “KASTRATI”. 10 më të mëdhenjtë derdhën 37.4 mln euro në arkat e shtetit, 16% të totalit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.