Popullsia e Shqipërisë më 1 janar të këtij viti ka pësuar rënie me 1.3% dhe regjistrohet në 2,793,529 banorë, ndërkohë që më 1 janar të vitit 2021 kjo shifër regjistrohej në 2,829,741 banorë. “Instituti i Statistikave” përmes të dhënave tregon se gjatë vitit 2021 për herë të parë është regjsitruar një shtesë natyrore negative, ku vdekjet kanë tejkaluar lindjet me 3,296 banorë. Nga ana tjetër po ashtu numri i personave që janë larguar nga Shqipëria regjsitrohet shumë herë më i lartë se numri imigrantëve. Numri i imigrantëve në vitin 2021 ishte 9.195 persona dhe numri i emigrantëve ishte 42.048 persona. Migracioni neto ka pësuar një rritje në vlerë absolute, krahasuar ne një vit më parë në 32,853 banorë të larguar më shumë se sa të ardhur. Në total, në Shqipërinë e vitit 2021 regjistrohen 36.212 banorë më pak.
Mosha mesatare e regjistruar më 1 janar të vitit 2022 është 38.2 vjeç, duke pësuar një rritje nga 37.6 vjeç që ishte më 1 janar të vitit 2021. Gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke pësuar një rënie prej 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2021 ishte 30.580 persona, duke patur një rritje prej 10,8 %. Këto rezultate vijnë si pasojë e ndikimit të pandemisë në numrin e popullsië, por gjithashtu edhe për shkak të emigracionit të lartë që është regjistruar vitet e fundit.
“Scan Intelligence Unit” gjithashtu e ka analizuar këtë tregues sipas qarqeve. Të dhënat tregojnë se i vetmi qark i cili ka pësuar rritje të popullsisë është ai i Tiranës, me 0.8%. Nga ana tjetër rënien më të madhe të popullsisë e ka regjistruar qarku i Gjirokastrës, me 4.7%, ndjekur nga qarku i Beratit me 3.7% dhe ai i Dibrës me 3.6%. theksojmë se qarku i Gjirokastrës ka dhe peshën më të vogël ne totalin e popullsië së Shqipërisë me vetëm 55,278 banorë. Rënien më të ulët e regjistron Durrësi me 0.2% banorë më pak në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments