Sociale

Në Shqipëri martesa mbetet e “shenjtë”/ Divorcet, nën mesataren europiane, raporti shkurorëzim/kurorëzim, ndër më të ultit në Europë

0

Të dhënat më të fundit të disponueshme nga Eurostat për martesat tregojnë se Shqipëria mban vendin e dytë më të lartë të martesave për vitin 2020 në Europë me 6,2 të tilla për 1000 banorë, pas Hungarisë, me 6,9 martesa për 1000 banorë. Nëse i referohemi vitit 2019, Shqipëria mban vendin e tretë në Europë, me 7,9 martesa për 1000 banorë, pas Kosovës, me 9,8 martesa, dhe Qipros me 8,9 të tilla. Në të njëjtën kohë, shkalla e shkurorëzimit për periudhën 2019-2020 është ulur nga 2,1 për 1,000 banorë në 2019-ën, në 1,5 në 2020-ën. Kosova regjistron shkallën më të ulët të divorceve në raport me popullsinë, me 0,5 të tilla për 1 mijë banorë, sipas të dhënave të vitit 2019. Vendi ynë figuron si i 13-ti në Europë ndër 34 shtete, për normën më të ulët të divorceve në raport me popullsinë. Mesatarja europiane ndërkohë fiksohet në 1,7 divorce për 1 mijë banorë.

Nëse bëjmë një raport të thjeshtë se ç’pjesë e çifteve të martuara, divorcohen, për vitin 2020 Shqipëria renditet e 4-ta me raportin më të vogël, pas Maqedonisë së Veriut, Hungarisë dhe Maltës. Kjo normë në vendin tonë fiksohet në 24%. Thënë më thjeshtë, ndër 4 kurora që lidhen në Shqipëri, 1 prej tyre shpërbëhet. Në rastin e Kosovës, kjo normë fiksohet në vetëm 5%, pra vetëm 1 në 20 martesa, por me të dhënat që i referohen vitit 2019. Raporti i divorceve me martesat tregon një vlerë vetëm të përafërt, duke qenë se dy treguesit jo domosdoshmërisht i referohen të njëjtit vit, pasi në përgjithësi, divorcet reflektojnë kurorëzimet e viteve të kalauara.

Që nga viti 1964, shkalla e martesës në vendet e BE ka rënë nga 8,0 për 1,000 banorë në 1964, në 3,2 në 2020-ën. Në të njëjtën kohë, shkalla e divorcit është dyfishuar, duke u rritur nga 0,8 për 1,000 banorë në 1964, në 1,6 në 2020-ën. Rënia e martesave lidhet ngushtë edhe me tregues demografik dhe kryesisht plakjen e popullsisë, por edhe me faktorë të ndryshëm social. Shtetet me numrin më të madh të martesave në raport me popullsinë janë Hungaria, me 6,9 martesa për 1000 persona, Letonia me 5,6, dhe Lituania me 5,5. Ndërkohë që normat më të ulëta të martesave raportohen në Itali me 1,6, Portugali me 1,8, Spanjë dhe Irlandë, të dyja me 1,9 martesa për 1 mijë banorë.

Në vitin 2020, ndër shtetet anëtare të BE-së, numri më i ulët i divorceve në raport me popullsinë u regjistrua në Maltë, 0,5 divorce për 1000 banorë, e ndjekur nga Sllovenia me 0,8. Nga krahu i kundërt, normat më të larta të divorcit u regjistruan në Letoni, Lituani dhe Danimarkë me 2,7 divorce për 1000 banorë, Suedi me 2,5 dhe Finlandë me 2,4.

Pavarësisht treguesve dhe trendeve botërore referuar numrit të martesave dhe divorceve gjithmonë e në përkeqësim, duket se për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, të paktën krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe kontinentit të vjetër, martesa vijon të ketë trajtën e një institucioni.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet “fryjnë” tregtinë e jashtme me gati 1 mld euro/ Në 4 muajt e parë, 930 mln euro më shumë shkëmbime tregtare, defiçiti prek rekord

Postimi mëparshëm

Aksidentet me rënie edhe në prill/ Regjistrohen 11.5% më pak; Durrësi, Kukësi dhe Vlora të vetmet me rritje

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.