Pandemia frenoi numrin e emigrantëve gjatë vitit 2020, por të dhënat më të fundit nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se viti 2021 e ka kthyer numrin e tyre në nivelet e parakrizës. Janë 42,048 të larguar nga Shqipëria gjatë vitit 2021, nga 23,854 që ishin gjatë vitit 2020. Referuar të dhënave historike të këtij treguesi, shohim se shifra e vitit 2021 jo vetëm që është afruar në nivelet e vitit 2019, por paraqitet më lartë edhe se vitet paraardhëse, nga viti 2015-të që regjistrohej në 42,443, deri në vitin 2018-të që ishtë 38,703. Nga ana tjetër, treguesi i imigracionit nuk ecën në të njejtën linjë si ai i emigracionit. Shifrat e personave që kanë hyrë në vendin tonë paraqiten në ulje nga viti në vit. Gjatë vitit 2021 numri i imigrantëve paraqitet 9,195, duke pësuar një rritje krahasuar me vitin 2020, por shumë i ulët nëse do ta krahasonim me vitet e kaluara. Viti 2011, i cili është dhe viti i fundit për të cilin INSTAT disponon të dhëna, regjistronte 36,397 imigrantë. Kjo është dhe shifra e lartë e regjistruar deri më sot për personat të cilët janë rikthyer në Shqipëri. Po të analizojmë migracionin neto situata nuk paraqitet aspak pozitive. Migracioni neto, ose ndryshe diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve, shihet të ketë pësuar një rritje në vlerë absolute. Regjistrohen 32,853 më shumë të larguar nga vendi se sa imigrantë. Kjo është dhe shifra më e lartë që nga viti 2011, kur diferenca mes imigrantëve dhe emigrantëve regjistrohej në 18,765 banorë. Gjatë vitit 2020 migracioni neto ka qenë 16,684 banorë. Treguesi i migracionit neto ka regjistruar nivelin më të ulët në vitin 2016-të, ku diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve ishte 9,473 banorë. Vitet e fundit shihet nje trend rritës i personave që kanë emigruar nga vendi.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments