Depozitat në sektorin bankar janë regjistriar në rënie për të dytin muaj me radhë gjatë marsit, tregojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të përpunuara dhe analizuara nga “Scan Intelligence Unit”. Këto të dhëna tregojnë kështu se, totali i depozitave në paranë e gjerë gjatë marsit fiksohet në 1.227 trilionë lekë, nga 1.229 trilionë lekë që ishin në muajin shkurt, apo 1.234 trilionë lekë në muajin janar të këtij viti, kur edhe u arrit rekordi historik. Që prej muajit gusht të vitit 2020, vetëm 3 herë, depozitat janë regjistruar në rënie, për herë të parë në nëntor të vitit të kaluar, kur nisën edhe sinjalet e para të krizës së çmimeve, më pas në shkurt të këtij viti, dhe tanimë edhe në mars. Tkurrja e depozitave gjatë marsit, krahasuar me shkurtin fiksohet në 0.15% në terma nominalë dhe në rreth 1.8 miliardë lekë në terma absolutë, çka përkthehet në rreth 15 milionë euro.
Shifrat zyrtare tregojnë gjithashtu se, totali i depozitave në paranë e gjerë në lekë ka rënë nga 547 miliardë lekë në shkurt të këtij viti, në 541 miliardë lekë në muajin mars. Me 1.1% rënie mujore të depozitave në lekë, marsi regjistron kështu rënien më të madhe që prej gushtit të vitit 2019. Ndërkohë, krejt e kundërta ka ndodhur me depozitat në valutë, të cilat janë rritur në 685 mld lekë, nga 681 mld lekë që ishin në muajin paraardhës. Madje, sasia e depozitave të reja në euro gjatë marsit ka prekur shuifrën e dytë më të lartë ndonjëherë, me rreth 1.2 miliardë euro të depozituara në sektorin bankar të vendit tonë vetëm gjatë marsit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments