Financë

Maji “zhyt” euron/ Monedha europiane prek minimumin historik, u këmbye me 120.47 lekë mesatarisht

0

Gjatë majit, monedha e përbashkët europiane është këmbyer mesatarisht me 120.47 lekë. Kjo vlerë shënon minimumin historik sa i përket kursit të këmbimit mes lekut dhe euros, sinjalizojnë shifrat më të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Asnjëherë më parë, monedha e përbashkët europiane nuk kishte mbyllur ndonjë muaj me një mesatare kaq të ulët këmbimi kundrejt lekut. Të dhënat tregojnë gjithashtu se, ndër 10 muajt kur kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka prekur nivelin më të ulët historik, 4 muaj përfaqësojnë pikërisht vitin aktual, më saktësisht: Janari, Shkurti, Prilli dhe Maji. Përjashtim të vetëm bën muaji mars i këtij viti, kur monedha europiane këmbëhej mesatarisht me 122.96 lekë. Edhe të dhënat që i referohen kursit të këmbimit të euros me monedhën vendase në ditën e fundit të muajit, tregojnë se maji ka regjistruar një rekord historik, me një kurs këmbimi prej 120.75 lekësh. Kujtojmë se më herët gjatë muajit, monedha e përbashkët europiane në ditë të caktuara këmbëhej edhe poshtë nivelit të 120 lekëve.

Por, ndërkohë që vlera e euros kundrejt lekut vendas ka prekur një minimum historik, krejt e kundërta ka ndodhur me dollarin amerikan. Ky i fundit gjatë majit është këmbyer mesatarisht me 113.94 lekë. Kjo është vlera më e lartë e dollait amerikan kundrejt Lekut vendas që prej prillit të vitit 2020.

Sa i përket monedhave të tjera ndërkohë, nuk vihen re luhatje të mëdha të kursit të këmbimit gjatë majit, me përjashtim të Lirës turke. Kjo e fundit gjithashtu ka prekur një rekord minimal historic kundrejt Lekut, por bëhet fjalë për një monedhë e cila është përballur vazhdimisht gjatë viteve të fundit me luhatje dhe zhvlerësime të theksuara, edhe brenda afatave të shkurtra kohore.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Diploma vlen më shumë për femrat? 90% e të punësuarave me arsim të lartë marrin pagë, për meshkujt norma zbret në 75.7%

Postimi mëparshëm

Fëmijët shqiptarë, gjysma në rrezik varfërie/ Eurostat: 51%, ose 304 mijë individë nën 18 vjeç. Të parët në Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.