Financë

Kur kursejnë më shumë shqiptarët? Në Gusht dhe Dhjetor! Emigrantët “fryjnë” depozitat, Tetori, muaji i vetëm kur “preken” kursimet

0

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar të dhënat e Bankës së Shqipërisë mbi depozitat në sektorin bankar, që prej vitit 2006, kur edhe ato janë publike, për të kuptuar se cilët muaj janë ata në të cilët shqiptarët kursejnë më shumë, dhe cilët muaj kur kursejnë më pak. Për të arritur në një përfundim sa më të saktë dhe të besueshëm janë marrë për bazë ndryshimet mujore të depozitave, për secilin muaj, që prej vitit 2006, për të nxjerrë një mesatare të rritjes mujore për secilin muaj. Ndryshimi i depozitave nga njëri muaj në tjetrin tregon nivelin e kursimit, në rast se është në rritje apo në rënie. Llogaritja është bërë në terma nominalë. Ajo që del në pah nga shifrat e analizuara dhe përpunuara është fakti se, muaji Gusht është ai kur shqiptarët kursejnë më shumë. Mesatarja e rritjes mujore përgjatë 15 viteve për Gushtin, fiksohet në një rritje të depozitave prej 1.9%. Në vend të dytë si muaji kur shqiptarët kursejnë më shumë rezulton Dhjetori, me një rritje prej rreth 1.2%, sinjalizojnë shifrat. Fakti që shqiptarët kursejnë më shumë në Gusht dhe Dhjetor, bazuar në paratë që ata depozitojnë nëpër banka, mund të shpjegohet me ardhjen e emigrantëve gjatë këtyre dy periudhave kohore, si pasojë e pushimeve të dimrit dhe të verës. Duke qenë se kursimet e shqiptarëve janë të varura ndjeshëm nga remitancat, vendosja e gushtit dhe dhjetorit në krye mund të shpjegphet pikërisht me këtë fakt. Periudhat e pushimeve kanë ndikim gjithashtu si pasojë e rritjes së turistëve në vend, dhe përfitimet konvertohen edhe në depozita bankare, sidomos për biznesin. Edhe këtu, emigrantët kanë një rol të rëndësishëm. Kursimet mesatare mujore të shqiptarrëve që prej vitit 2006 fiksohen në rreth 3.6 mld lekë, ose rreth 29 milionë euro. Gjatë gushtit, kjo shifër ngjitet në 14.5 mld lekë, ose rreth 117 milionë euro, sinjalizojnë shifrat. Dy muajt që ndjekin, shtatori dhe janari, me rreth 0.6% rritje mesatare mujore të depozitave, janë gjithashtu dy periudha që lidhen ngushtë me ardhjen e emigrantëve dhe me pushimet.

Tetori ndërkohë rezulton si muaji i vetëm kur kursimet e shqiptarëve mpaken, me një normë mesatare të ndryshimit mujor, pranë -0.02% përgjatë 15 viteve të fundit. Edhe muajt shkurt, nëntor dhe prill duket se nuk janë fort të favorshme për të kursyer, pasi ndryshimi mesatar mujor i depozitave bankare fiksohet pranë zeros përgjatë 15 viteve të fundit, sinjalizojnë shifrat e përpunuara nga “Scan Intelligence Unit”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Depozitat rriten me 600 mln euro Arrijnë në 1.115 trilionë lekë, në rritje me 0.2% krahasuar me janarin

Postimi mëparshëm

Përkeqësohet barazia gjinore në Shqipëri. Raporti i “WEF”, me 5 pozicione të humbura, mbetemi mes 30 të parëve në glob

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.