Sektori bankar ka dhënë rreth 28.1 miliardë lekë kredi të re gjatë marsit, tregojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Kjo shifër është më e larta që prej dhjetorit të vitit të kaluar, si dhe më e larta në terma sezonalë, pra gjatë muajve mars, me kreditimin më të lartë të regjistruar, të paktën që prej vitit 2016. Madje, shifrat tregojnë se rritja e kreditimit vihet re në të dyja segmentet kryesore, si për biznesin ashtu edhe për individët. Kjo tendencë vjen pavarësisht shtrëngimit të standarteve dhe kushteve të kreditimit nga sektori bankar për biznesin në vendin tonë gjatë tremujorit të parë të këtij viti, si pasojë e krizës së çmimeve, çka do të thotë se pavarësisht se janë miratuar më pak kedi të reja nga bankat, vlera e atyre që janë aprovuar ka qenë më e lartë.
Sa i përket biznesit, shifrat flasin për 19.7 miliardë lekë kredi të re gjatë marsit, gjithashtu shifra më e lartë e regjistruar që prej vitit 2016 sa i përket muajit mars.
Ndërkohë, sa i përket kredisë së re për individët, gjatë marsit ka prekur shifrën e 8.4 miliardë lekëve, më e larta që prej qershorit të vitit të kaluar, dhe gjithashtu më e larta ndër muajt mars të 7 viteve të fundit. Por, ajo që bie më shumë në sy nga të gjitha shifrat është fakti se kredia e re për blerje banese nga individët në marsin e këtij viti ka prekur një rekord të padiskutueshëm historik. Bëhet fjalë për 4.9 mld lekë kredi të re të dhënë nga bankat gjatë marsit për të blerë një banesë. Nuk është thjesht një rekord historik, por një rritje ndjeshëm më e lartë se mesatarja e 7 viteve të fundit. Mesatarja e kredisë së re për blerje banese përgjatë të gjithë muajve, që nga dhjetori i vitit 2015, deri në shkurt të këtij viti, fiksohet në 2.2 mld lekë, çka do të thotë se gjatë marsit, kredia e re për blerje banese ka rezultuar 122% mbi mesataren. Kjo tendencë vjen pavarësisht krizës, dhe si pasojë e politikës së ndjekur nga bankat që nuk kanë shtrënguar termat e kreditimit për blerje banese, duke e justifikuar me konkurrencën e lartë në sektor, si dhe me vrullin e sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. Nga të dhënat vihet re gjithashtu një rritje më e lartë e kredisë së re për blerje banese në euro.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments