Për herë të parë pas 14 muajsh me radhë në rënie graduale, treguesi i kredive me probleme është regjistruar në rritje gjatë prillit të këtij viti. Kështu, të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë periudhës në fjalë, norma e kredive me probleme është ngjitur në 5.42%, nga 5.24% që ishte gjatë muajit mars. Rritja e treguesit me 3.4%, ose 0.18 pikë përqindje është ndër të tjera më e larta që prej korrikut të vitit 2016, kur rritja fiksohej pranë 6%, dhe kur ky tregues fikoshej në 21.15%, pra pranë niveleve më të larta historike.
Nga ajo çfarë sinjalizojnë shifrat zyrtare, duket se, kriza e çmimeve dhe konsumit që ka goditur vendin gjatë muajve të fundit, sidomos shtresat më vulnerabël, ka ndalur edhe `hovin` e një prej treguesve më të rëndësishëm të shëndetit financiar bankar, siç janë pikërisht keditë me probleme. Rënia graduale e këtij treguesi gjatë viteve të fundit, ka qenë edhe një prej shtysave kryesore të kreditimit të lartë nga sektori bankar, pavarësisht se në kohë krize gjatë pandemisë. Banka e Shqipërisë dhe shumë institucione të tjera ndërkombëtare kanë vlerësuar vazhdimisht rolin e sektorit bankar në rimëkëmbjen ekonomike të vendit gjatë viteve të fundit.
Pavarësisht rritjes së këtij treguesi gjatë prillit, vijon të qëndrojë pranë niveleve më të ulta që prej nëntorit të vitit 2008. Rritja e ndjeshme e çmimeve, me inflacionin pranë niveleve rekord të 2 dekadave të fundit, dhe sidomos rritja e çmimeve të hidrokarbureve duket se ka sjellë probleme edhe me pagesën e kësteve të kredisë, nga të gjitha segmentet. Vetëm disa ditë më parë, të tjera të dhëna nga Banka e Shqipërisë tregonin se, depozitat në lekë në sektorin bankar gjatë 4 muajve të parë të këtij viti kanë rënë me 14 mld lekë, që është edhe rënia më e madhe prej vitit 2007. Pra, sinjalet janë të qarta, dhe përtej perceptimit të përgjithshëm, tashmë edhe shifrat thonë të njëjtën gjë; se bizneset dhe konsumatori janë në vështirësi. Aftësia paguese e huamarrësve gjatë prillit është përkeqësuar dhe përkon me situatën ekonomike në tërësi. Në rast se tendenca e kredive me probleme në sektorin bankar do të vijojë rritjen edhe në muajt në vijim, atëherë me shumë gjasa do të përkthehej në kushte dhe standarde të shtrënguara nga bankat për kredi të reja.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments