Treguesi i kredive me probleme ka shënuar një rritje për të dytin muaj me radhë, pas një rënie të vazhdueshme prej 14 muajsh duke arritur kështu në 5.44% për periudhën Maj 2022, nga 5.42% që ishte gjatë muajit Prill. Pra, Maji shënon një ndryshim “të lehtë” me 0.02 pikë përqindje të kredive me probleme, të cilat duhet thënë se vijojnë të qëndrojnë pranë niveleve historike minimale prej 2008-ës. Mjafton të përmendim se në kohë të vështira për ekonominë si kjo e tanishmja, pas rritjes së nivelit të përgjithshëm të çmimeve, situatës botërore të luftës në Rusi, dy krizave të njëpasnjëshme që goditën vendin tonë ajo e tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë, natyrshëm do të sillte kufizim të aftësive paguese të individëve dhe biznesit të cilët ndjejnë pasigurinë e së ardhmes. Rritja e dy muajve të fundit për këtë tregues sinjalizon se aftësia paguese e individëve dhe bizneseve është cënuar nga situata aktuale, sikurse nga ana tjetër sektori bankar mbetet mjaft i shëndetshëm, duke vijuar të jetë një prej shtyllave kryesore të rimëkëmbjes, rol të cilin e luajti edhe përgjatë pandemisë.
Kujtojmë se prej vitit 2008 me krizën financiare globale, ky tregues nisi një trajektore rritëse të rrezikshme, duke kulmuar deri në 25% në vitin 2015. Paradoksalisht me pandeminë, norma e kredive me probleme nisi një trajektore të re, në rënie progresive, që duket se është ndalur disi gjatë dy muajve të fundit. Gjithsesi, ecuria e kredive me probleme mbetet ende për t`u parë gjatë muajve në vijim dhe në të ardhmen e afërt.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments