Financë

Kreditimi “ringjallet” me vjeshtën,- Huaja për blerje banesash, rekord 6 vjeçar. Ndërtimi dhe energjia elektrike gjithashtu me rekord

0

Pas një kontraktimi gjatë gushtit, kryesisht si rrjedhojë e efektit sezonal, kreditimi i është rikthyer termave të rritjes gjatë shtatorit, tregojnë shifrat më të fundit të përditësuara nga Banka e Shqipërisë. Kështu, huaja e re gjatë shtatorit, për të gjitha monedhat dhe qëllimet fiksohet në 20.9 mld lekë, nga 19.8 mld lekë që ishte gjatë gushtit. Krahasuar me muajt shtator të viteve të kaluara, ky është niveli më i lartë që prej vitit 2017, kur huaja e re fiksohej në rreth 24 mld lekë, sinjalizojnë të dhënat zyrtare. Rritja vihet re në drejtim të kreditimit të sektorit privat jo financiar ashtu dhe në drejtim të individëve.

Sa i përket kreditimit të biznesit, shifrat e shtatorit flasin për 14.65 mld lekë kredi të re, për të gjitha valutat, nga rreth 14.1 mld lekë që ishte në gusht. Krahasuar me shtatorin e një viti më parë, rritja është mjaft e lehtë, ndërkohë që rezulton të jetë më e larta që prej shtatorit 2017.

Sa i përket individëve ndërkohë, huaja e re gjatë shtatorit i është rikthyer rritjes pas dy muajsh me radhë në kontraktim. Gjatë shtatorit, huaja e re për individët fiksohet në 6.31 mld lekë, nga 5.67 miliardë lekë që ishte gjatë gushtit, duke u rritur kështu me rreth 11%. Në gusht dhe korrik huaja e re binte me rreth 19% në terma mujorë. Brenda segmentit të huasë së re për individët, bie në sy ajo për blerje banese. Huaja e re për blerje banese nga individët gjatë shtatorit, në Lekë prek vlerën e 1.86 miliardëve, nga 1.66 miliardë që ishte në gusht, duke regjitriar shifën më të lartë në terma vjetorë në 6 vitet e fundit. Edhe për huanë e re për blerje banese, në euro, vlen e njëjta gjë. Ky indikator është ngjitur në 1.45 mld lekë gjatë shtatorit, nga 1.08 mld lekë që ishte në gusht, dhe ka prekur nivelin më të lartë në terma vjetorë, në 6 vitet e fundit.

Huaja e re sipas sektorëve

Sa i përket huasë së re për sipërmarrjen private sipas sektorit, vëmë re se, gjatë shtatorit, është regjistruar një rritje e ndjeshme për sektorë si: energjia elektrike, ndërtimi, informacioni dhe komunikacioni, ndërkohë që në rënie regjistrohet tregtia. Rritjen më të madhe mujore të huasë së re gjatë shtatorit e regjistron informacioni dhe komunikacioni, me mbi 10-fish. Për këtë sektor, huaja e re gjatë shtatorit ka qënë në rreth 1.25 miliardë lek, nga vetëm 103 milionë lekë që ishte në gusht. Edhe për energjinë elektrike rritja është e ndjeshme, pasi në shtator huaja e re për sektorin fiksohet në 1.28 mld lekë, nga vetëm 231 milionë që ishte në gusht, duke prekur nivelin më të lartë që prej dhjetorit të vitit 2020. Për sektorin e energjisë, kreditimi i lartë gjatë shtatorit nuk është tipik. Mesatarja e 5 viteve të shkuara flet për një shifër prej rreth 380 milionë lek, pra mbi 3 herë më e ulët. Kjo rritje duket të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e krizës që po kalon sektori energjetik në vend.

Ndërtimi është një tjetër sektor me rritje të ndjeshme të kreditimit gjatë shtatorit. Huaja e re për sektorin gjatë shtatorit fiksohet në rreth 4.3 mld lekë, nga 2.3 mld lekë që ishte në gusht. Kjo është shifra më e lartë që prej dhjetorit të vitit 2019, kur vendi vinte fill pas tërmetit shkatërrimtar të nëntorit, dhe kur kërkesa ishte mjaft e lartë. Me përjashtim të dhjetorit 2019 dhe shtatorit të këtij viti, asnjëherë më parë shifra e krediisë së re për sektorin e ndërtimit në një muaj, nuk e kishte kaluar barrierën e 4 miliardë lekëve. Kjo rritje e ndjeshme ka bërë që ndërtimi të kalojë industrinë përpunuese sa i përket sektorëve më të kredituar të ekonomisë shqiptare, për të zënë vendin e dytë në renditje, pas tregtisë, me një stok kredie prej rreth 57 miliardë lekësh, ose rreth 474 milionë euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Më shumë pasagjerë dhe mallra gjatë Shtatorit, – Rreth 1 mln pasagjerë më shumë në Janar-Shtator, krahasuar një vit më parë

Postimi mëparshëm

Depozitat vijojnë të “fryhen”, – Arrijnë në 1.18 trln lekë në shtator. Lezha “udhëheq” rritjen, me 6.2%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.