Gjatë shkurtit të këtij viti, sektori bankar ka dhënë 18.36 miliardë lekë kredi të re, duke regjistruar një rritje në terma vjetorë. Gjatë shkurtit të vitit të kaluar, huaja e re fiksohej pranë 14.3 miliardë lekëve. Gjatë 7 viteve të fundit, kjo është shifra e dytë më e lartë që prej shkurtit të vitit 2020. Sa i përket sektorit privat ndërkohë, huaja e re fiksohet në rreth 12.1 miliardë lekë, në rritje si në terma vjetorë, ashtu edhe në terma mujorë.
Ndërkohë, sa i përket kredisë së re për individët, gjatë muajit shkurt të këtij viti fiksohet pranë rreth 5.9 miliardë lekëve, në rritje gjithashtu në terma mujorë dhe vjetorë, nga rreth 4.9 miliardë lekë që ishte në janar të këtij viti, apo rreth 4.6 miliardë lekë në shkurt të vitit të kaluar.
Ajo që bie në sy nga huaja e re për individët gjatë shkurtit është fakti se kredia e re për blerje banese ka prekur nivelin më të lartë historik, me rreth 3.1 mld lekë, krahasuar me muajt shkurt të viteve të mëparshme. Ndërkohë, në segmentin e kredisë së re për blerje banese vihet re se ka një rritje mjaft të lartë të kredisë së re për blerje banese në monedhën europiane. Madje, kjo e fundit ka barazuar atë në lekë, me nga 1.55 mld lekë secila. Kredia për blerje banese ka regjistruar rekorde të njëpasnjëshme gjatë muajve të fundit, duke prekur niveleve të paregjistruara më parë. Diçka e tillë është rrjedhojë jo vetëm e kërkesës së lartë nga familjarët si pasojë e “boom”-it në ndërtim, por edhe rrjedhojë e kushteve lehtësuese të sektorit bankar në vendin tonë për kredi të tilla.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments