Financë

Kreditë me probleme, tjetër rënie në shkurt/ Treguesi bie pranë 5.39%, muaji i 13-të me radhë në rënie

0

Norma e huave me probleme, ka pësuar një rënie të mëtejshme gjatë muajit shkurt, tregojnë të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Ky tregues ka zbritur kështu pranë 5.39%, nga 5.45% që ishte në muajin janar të këtij viti. Rënia vjen kështu për të 13-tin muaj me radhë. Nga ana tjetër, norma prej 5.39% është niveli më i ulët që prej nëntorit të vitit 2008, kur fiksohej pranë 5%. Ky tregues është ndër më të rëndësishmit e shëndetit financiar bankar.

Gjatë viteve të fundit, norma e huave me probleme ka pësuar një rënie graduale dhe progresive, duke anashkaluar çdo parashikim, madje edhe vetë projeksionet e Bankës së Shqipërisë, pasi me pandeminë dhe krizën që e pasoi pritej një rritje e ndjeshme e treguesit, deri pranë nivelit të 15%. Ndërkohë, ka ndodhur krejt e kundërta, duke përforcuar edhe nëpërmjet shifrave shëndetin e mirë financiar të sektorit bankar që operon në vendin tonë. Pavarësisht situatës, rënia graduale e këtij treguesi nënvizon edhe aftësinë e mirë paguesve të sektorit privat por edhe të individëve. Ndër të tjera, këto shifra vijnë në një kohë që vendi dhe bota po përballen me një krizë tjetër, atë të cmimeve dhe të konsumit. Vetëm pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë deklaronte se sektori bankar në vendin tonë nuk është i ekspozuar në mënyrë të drjtpërdrejtë ndaj krizës.

Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar, treguesi i kredive me probleme i`u rikthye për herë të parë niveleve të para krizës financiare globale. Në vitin 2015 norma e kredive me probleme në vendin tonë u ngjit pranë 25%, duke u kthyer kështu në një kërcënim për shëndetin bankar dhe duke e vendosur Shqipërinë në vend të parë në rajon në këtë drejtim. Për vite me ardhë, norma mjaft e lartë e kredive me probleme ka qenë një prej problemevatikave më të mëdha të bankave në Shqipëri.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët dhe shëndeti online/ 48% e tyre marrin informacion në internet, renditemi ndër të fundit në Europë

Postimi mëparshëm

Banka Botërore “zhvlerëson” Shqipërinë/ Impakti i luftës, rritja ekonomike ulet me 0.6 pikë, por mund të përkeqësohet edhe më tej

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.