Norma e huave me probleme, një prej treguesve më të rëndësishëm të shëndetit financiar bankar ka pësuar një rënie të mëtejshme gjatë muajit janar, tregojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Ky tregues ka zbritur kështu pranë 5.45%, nga 5.65% që ishte në muajin dhjetor të vitit të kaluar, duke regjistruar muajin e 12-të me radhë në rënie. Norma prej 5.45% është ndër të tjera niveli më i ulët që prej nëntorit të vitit 2008, kur fiksohej pranë 5%. Gjatë dy viteve të fundit, ky tregues ka pësuar një rënie graduale dhe të theksuar, duke thyer çdo parashikim, madje edhe vetë projeksionet e Bankës së Shqipërisë, pasi me pandeminë dhe krizën që e pasoi pritej një rritje e ndjeshme e treguesit, deri pranë nivelit të 15%. Ndërkohë, ka ndodhur krejt e kundërta, çka përforcon edhe nëpërmjet shifrave shëndetin e mirë financiar të sektorit bankar që operon në vendin tonë. Pavarësisht situatës, rënia graduale e këtij treguesi nënvizon edhe aftësinë e mirë paguesve të sektorit privat por edhe të individëve.
Gjatë vitit të kaluar, treguesi i kredive me probleme i`u rikthye për herë të parë niveleve të para krizës financiare globale. Në vitin 2015 norma e kredive me probleme në vendin tonë u ngjit pranë 25%, duke u kthyer kështu në një kërcënim për shëndetin bankar dhe duke e vendosur Shqipërinë në vend të parë në rajon në këtë drejtim.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments