Financë

Kreditë me probleme bien nën 8% – Shifrat e Marsit, rekordi më pozitiv që prej vitit 2009

0

Sektori bankar në vendin tonë vijon të raportojë shifra mjaft pozitive sa i përket shëndetit financiar. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë sinjalizojnë se në muajin mars një prej treguesve më të rëndësishëm të shëndetit bankar, ai i huave me probleme, ka prekur nivelin më të ulët që prej marsit të vitit 2009, pranë nivelit të 7.96%. Ky rekord historik mjaft pozitiv, për një vend si Shqipëria, që ndër vite ka vuajtur peshën e lartë të kredive jo-performuese, vjen në një kohë krize të shkaktuar nga pandemia. Paçka se fillimisht, pritej që kriza e rëndë ekonomike të ndikonte në aftësinë paguese të bizneseve dhe individëve, kjo gjë duket se nuk ka ndodhur aspak, përkundrazi. Sektori bankar është vlerësuar gjerësisht si nga Banka e Shqipërisë, ashtu edhe nga shumë organizma ndërkombëtare si një prej shtyllave kryesore që ka mbajtur ekonominë shqiptare në këmbë gjatë krizës, duke i dhënë një mbështetje mjaft të fortë. Mbajtja e këtij indikatori në nivele të qendrueshme vlerësohet t`i ketë dhënë një shtysë mjaft domethënëse ekonomisë së vendit, pasi në të kundërt, kreditimi nuk do të vijonte me të njëjtat ritme. Gjithsesi, duhet theksuar se mbajtja e kësaj normë pranë niveleve rekord të ulta historike është edhe rrjedhojë e vendimarrjeve të bankës qendrore, dhe sidomos ai për risktrukturimin e kredive me probleme, i cili nuk është më në fuqi prej prillit të këtij viti.

Kështu, gjatë marsit, norma e kredive me probleme ndaj totalit ka zbritur në 7.96%, nga 8.15% që ishte gjatë muajit paraardhës. Asnjëherë më parë në 12 vite kjo normë nuk kishte zbritur poshtë nivelit të 8%, duke u rritur në mënyrë të ndjeshme, deri në 25%, në shtator të vitit 2014.. Në mars të vitit 2009 fiksohej pranë 7.6%. Me shifrën e marsit, mund të themi se vetëm tani ky indikator i është rikthyer nivele të para krizës financiare globale të më shumë se një dekade më parë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Barometri Ekonomik Scan: më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk munden të kursejnë

Postimi mëparshëm

Barometri Ekonomik Scan: 62% e familjeve shqiptare të pakënaqura me nivelin e jetesës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.