Të dhënat e Bankës së Shqipërisë nga publikimi më i fundit, “Aktiviteti kreditues në T1 2022”, tregojnë se përgjatë kësaj periudhe kohore, kredia për biznese është rritur me ritme të qëndrueshme, duke u mbështetur kryesisht nga kreditimi në valutë, që ka kompensuar ngadalësimin e kredisë në lekë. Ndërkohë, bankat kanë shtrënguar standardet vetëm për bizneset e vogla dhe të mesme, ndërkohë që kërkesa e tyre për financim vijon të jetë e lartë. Sa i përket biznesit të madh, ky segment ka shfaqur një portofol të pandryshuar me fundin e vitit 2021.
Banka e Shqipërisë nënvizon se, bankat kanë lehtësuar kushtet e kreditimit për individët dhe i kanë shtrënguar ato për bizneset në tremujorin e parë të vitit. Diçka e tillë theksohej edhe në vrojtimin e publikuar në prill mbi kreditimin. Kjo ecuri vjen në reflektim të rritjes së pasigurisë, si në lidhje me çmimet në tregjet ndërkombëtare, ashtu edhe me ndikimin e konfliktit Rusi- Ukrainë.
Bankat kanë rritur financimin në valutë të bizneseve, veçanërisht në euro, segment i cili ka shfaqur përmirësimin më të madh. “Kredia në valutë shënoi një rritje dyshifrore, prej 14.5%, ose rreth dy herë më shumë se rritja e saj në vitin e kaluar. Kjo kredi dominon portofolin e kredisë për biznese, me 57%, pjesa më e madhe e të cilëve kanë të ardhura në valutë. Rritja e kredisë në valutë u mbështet nga kërkesa e shtuar e bizneseve për blerjen e mallrave jashtë, në kushtet e rritjes së shpejtë të çmimeve dhe pasigurisë që solli fillimi i konfliktit në Ukrainë. Po kështu, edhe likuiditeti i bollshëm i bankave në valutë si rrjedhojë e rritjes së qëndrueshme të depozitave në monedhë të huaj, është një tjetër faktor në mbështetje të kreditimit në valutë”-thekson Banka e Shqipërisë.
Sa i përket kredisë për individët, institucioni nënvizon se ka marrë mbështetje nga kërkesa mjaft e lartë për kredi për banesë, çka ka bërë që bankat t`i financojnë individët me ritme të larta. “Portofoli i kredisë për individë ka vazhduar të shfaqë norma të larta rritjeje, prej 16.3%, nivel ky më i larti i dekadës së fundit. Prej mëse një viti, kredia për individë po rritet me ritme të larta, e ndikuar si nga rigjallërimi i konsumit në ekonomi, ashtu edhe nga kërkesa për blerje banesash si për strehim, edhe për investim. Gjithashtu, konkurrenca e shtuar mes bankave në veçanti për këtë segment ka bërë që standardet e kreditimit të jenë në kahun lehtësues, normat e interesit në nivele të ulëta dhe, kërkesa për financim në nivel të lartë”-shton institucioni.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments