Financë

Kredia për blerje banese, rekord këtë vit/ 15 miliardë lekë në 4 muaj për individët, si asnjëherë më parë

0

Kredia e re që ka dhënë sektori bankar gjatë muajit prill të këtij viti fiksohet në 23.4 miliardë lekë, tregojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur kreditë e reja fiksoheshin në 16.9 miliardë lekë, rritja është e ndjeshme, pranë rreth 38%. Nga ana tjetër, krahasuar me muajt prill të viteve të mëparshme, shifrat sinjalizojnë se rritja vjetore këtë vit është më e larta që prej prillit të vitit 2018, kur kreditë e reja gjatë prillit kapnin vlerën e 24.8 miliardë lekëve. Rritja e kreditimit gjatë muajit të kaluar është e njëtrajtshme, si për segmentin e sektorit privat, ashtu edhe për atë të individëve.

Gjatë muajit prill, kredia e re për sektorin privat fiksohet pranë 15.9 miliardë lekëve, nga 10.56 miliardë lekë që ishte gjatë prillit të vitit të kaluar. Sa i përket individëve ndërkohë, kredia e re në prill të këtij viti kap vlerën e 7.3 miliardë lekëve, nga 6.3 miliardë lekë që ishte kjo shifër në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, sa i përket kredisë së re për individë për blerje banese, gjatë prillit fiksohet në 3.9 miliardë lekë, në rënie krahasuar me muajin mars, por në rritje krahasuar me prillin e një viti më parë, kur kjo shifër fiksohej në 3.3 miliardë lekë. Prilli i këtij viti, në terma sezonalë regjistron një rekord historik sa i përket kredisë së re për individët për blerje banese. Nga ana tjetër, edhe sa i përket 4 muajve të parë të vitit vëmë re një rekord historik. Gjatë 4 mujave të parë të vitit, kredia e re për blerje banese, si në lekë ashtu edhe në valutë prek shifrën e 15 miliardë lekëve. Gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, kjo vlerë ishte në 11 miliardë lekë. Asnjëherë më parë, kjo shifër nuk ka qenë kaq e lartë, sa i përket 4 muajve të parë të vitit.

Në të gjitha publikimet e fundit sa i përket aktivitetit kreditues, Banka e Shqipërisë ka theksuar rritjen e lartë të kredisë për blerjese banese, si në kërkesë, ashtu edhe në ofertë. Nga krahu i kërkesës, Banka e Shqipërisë vlerëson nivelin më të lartë në dekadën e fundit, ndërkohë që nga krahu i ofertës thekson se kriza e çmimeve nuk ka shtyrë sektorin bankar që të shtrëngojë standardet kredituese, pasi në këtë segment konkurrueshmëria mes bankave është mjaft e lartë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet “godasin” kursimet/ Depozitat në lekë, 14 mld më pak në 4 muaj, rënia më e madhe prej 2007-ës

Postimi mëparshëm

Rriten lejet e ndërtimit me 58%/ T1, Korça me rënien më të madhe, Vlora me 222% rritje

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.