Raporte

Komisioni Europian “zhvlerëson” Shqipërinë/ Rritja ekonomike këtë vit, vetëm 2.7%. Energjia mban nën “presion” projeksionet

0

Komisioni Europian është institucioni i radhës që ka shkurtuar projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit, si pasojë e efekteve që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Kështu, në projeksionet e sapo publikuara për vendet e unionit dhe për ato kandidate, Shqipëria parashikohet të rritet me një normë prej 2.7% këtë vit. Ndërkohë, më herët Komisioni Europian e projektonte rritjen ekonomike të vendit tonë pranë 3.7% këtë vit, çka sinjalizon një shkurtim me 1 pikë. Pra, sipas vlerësimeve të Komisionit Europian, impakti paraprak i luftës i kushton Shqipërisë rreth 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Gjithsesi, mes reshtave, në kapitullin dedikuar vendit tonë, Komisioni Europian thekson se këto projeksionet janë subjekt i rreziqeve të tjera, sidomos sa i përket energjetikës. Sa i përket vitit të ardhshëm ndërkohë, rritja ekonomike projektohet në 3.1%

“Ky parashikim është subjekt i rreziqeve për poshtë, që lidhen kryesisht me impaktin e tejzgjatjes së çmimeve të rritura të energjisë, kombinuar me një prodhim të ulët të energjisë hidrike brenda vendit, rrjedhojë e reshjeve të dobëta. Në një skenar të tillë, fatura e importit të energjisë elektrike të Shqipërisë do të rritej ndjeshëm, dhe mund të zgjerojë defiçitin tregtar, mbingarkojë buxhetin. I cili deri më tani ka mbuluar hendekun e krijuar nga çmimet e importit”-thotë mes reshtave Komisioni Europian.

Sa i përket punësimit, Komisioni Europian projekton rritjes pagash por edhe rritje të punësimit në tërësi, rrjedhojë e mungesave në tregun e punës.

Ndërkohë, shifrat duken shqetësuese sa i përket konsumit. Gjatë vitit të kaluar, kërkesa e brendshme vlerësohet të ketë kontribuar me 9 pikë përqindje në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, ndërkohë që këtë vit, ky kontribut parashikohet në vetëm 2.5%. Norma e inflacionit ndërkohë projektohet pranë rreth 5% këtë vit. Nga ana tjetër, Komisioni Europian vlerëson se presionet inflacioniste të importuara do t`i lënë vendin presioneve të brendshme inflacioniste vitin e ardhshëm.

Sa i përket turizmit, një prej shtyllave kryesore të ekonomisë sonë, pritet të vijojë të jetë një mbështetje në termat e rritjes.

Krahasuar me vendet kandidate ndërkohë, sa i përket termave të rritjes ekonomike, sipas projeksioneve më të fundit të Komisionit Europian, Shqipëria rezulton të jetë vendi me rritjen më të ulët, pas Turqisë. Ndërkohë, projeksionet për Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi janë më të larta.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

6 në 10 familje nuk kursejnë dot/ Vetëm 38% munden, me kursimet që shkojnë për pleqërinë dhe edukimin e fëmijëve

Postimi mëparshëm

Sekreti financiar, ku renditet Shqipëria? Merr vlerësimin më pozitiv në rajon, së bashku me Serbinë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.