Financë

“Kërcen” kredia për shtëpi dhe individë/ Dy rekorde historike absolute gjatë qershorit, rrjedhojë e vrullit të ndërtimit

0

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kredia e re për individë gjatë muajit qershor ka prekur një rekord të ri historik, duke tejkaluar për herë të parë nivelin e 10 miliardë lekëve. Kështu, kredia e re për individët gjatë qershorit fiksohet pranë 10.1 miliardë lekëve, nga vetëm 7.7 miliardë lekë që ishte gjatë muajit maj apo rreth 8.6 miliardë lekë të qershorit të një viti më parë. Rritja vjetore e kredisë së re për individët fiksohet pranë 17.4%. Ky rekord është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e një tetër rekordi, të kredisë së re për blerje banese.

Individët gjatë qershorit kanë marrë rreth 5.6 miliardë lekë kredi të re për blerje banese, si në lek ashtu edhe në valutë. Shifra është padiskutim një rekord i ri historik dhe për herë të parë është “thyer” niveli i 5 miliardë lekëve kredi të re për blerje banese në një muaj të vetëm. Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar në marsin e po këtij viti, prej 4.9 miliardë lekësh në total. Gjatë majit ndërkohë, shifra fiksohej pranë 4.3 miliardë lekëve, ndërkohë që një vit më parë fiksohej pranë 4.7 miliardë lekëve. Gjatë muajve të fundit, kredia për blerje banese nga individët ka njohur një rritje progresive duke thyer edhe rekorde të njëpasnjëshme. Kjo tendencë është rrjedhojë e vrullit të ndjeshëm të sektorit të ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme, ndërkohë që një shtysë thelbësore ka dhënë edhe sektori bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, ndërkohë që kushtet dhe standarded për kredi për biznesin janë shtrënguar, për individët ka ndodhur krejt e kundërta, duke e justifikuar këtë me fazën e mirë që po kalon sektori i ndërtimit si dhe me konkurrencën e lartë në sektorin bankar për këtë segment të kredisë.

Nga ana tjetër, për individët vihet re edhe një rritje e kredisë konsumatore, me një rekord të ri historik për kredinë e re në lekë për mallra jo të qendrueshëm.

Sa i përket kredisë së re në total, shifrat për qershorin flasin për 25,3 miliardë lekë, nga 25.1 miliardë lekë që ishte kjo shifër gjatë qershorit të një viti më parë. Ndërkohë, kredia e re për sektorin privat regjistrohet në rënie në terma vjetor, duke u fiksuar në 14.8 miliardë lekë, nga 16.5 miliardë lekë që ishte kjo shifër në qershor të një viti më parë. Sektori bankar ka shtrënguar disi dorën për financim të biznesit, si pasojë e situatës aktuale, pasigurisë së ndjeshme si dhe luhatjes së çmimeve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet “tkurrin” tregtinë/ Më pak mallra gjatë qershorit, pasagjerët dhe fluturimet me rritje

Postimi mëparshëm

Familjet shqiptare kanë 58 miliardë euro prona/ Vlera, 3.2 herë më e lartë se ajo që e gjithë ekonomia prodhon në një vit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.