Financë

Kapitali shqiptar, rekord në sektorin bankar/ Ngjitet pranë 25% në vitin 2021, dhjetë vjet më parë ishte vetëm 7.8%

0

Të dhënat më të fundit zyrtare, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel” tregojnë se, pesha a kapitalit aksioner shqiptar në sektorin bankar është ngjitur pranë një maksimumi të ri historik gjatë vitit të kaluar. Kështu, deri në fund të vitit 2021, kapitali shqiptar përfaqësonte 24.88% të kapitalit aksioner të bankave që operojnë në vendin tonë. Gjatë vitit paraardhës, atë 2020, por edhe atë 2019, kjo peshë fiksohej pranë 23%. “Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare gjatë 10 viteve të fundit. Në vitin 2012, shifrat sugjerojnë se kapitali shqiptar në sistemin bankar vendas përbënte vetëm 7.8% të totalit. Pra, në harkun e një dekadë, rritja është e ndjeshme, dhe sipërmarrësit shqiptarë kanë rritur peshën e tyre në sektor me rreth 3.2 herë. Gjatë 10 viteve të fundit, rritja më e ndjeshme vihet re në vitin 2019, ku norma është ngjitur pranë 23%, nga 16.55% që ishte në vitin 2018, pra në rritje me 6.45 pikë, si asnjë vit tjetër. Kjo rritje e ndjeshme reflekton futjen e “Balfin” në tregun bankar, nëpërmjet blerjes së kuotave të “Tirana Bank”, që deri atëherë ishte një bankë me kapital të huaj. Kjo rritje e ndjeshme reflekton futjen e “Balfin” në tregun bankar, nëpërmjet blerjes së kuotave të “Tirana Bank”, që deri atëherë ishte një bankë me kapital të huaj.

Pra, me një peshë prej 24.88%, kapitali shqiptar kontrollon ¼ e strukturës aksionare të sektorit bankar që operon në vendin tonë, ndërkohë që 10 vite më parë kontrollonte vetëm 1 të 13-tën. Ndërkohë, kapitali i huaj, referuar të dhënave të vitit 2021 kontrollon 75.12% të aksioneve të sektorit bankar. Peshën më të madhe në bankat shqiptare e ka kapitali turk, me një normë pranë 27.24%, duke qenë se ka në pronësi edhe bankën më të madhe në vend, “BKT”. Më pas ndjek kapitali shqiptar, dhe ai austriak, me 18.6%. Edhe kapitali me origjinë italiane ka një peshë të konsiderueshme në këtë treg, prej rreth 12.64%. më pas ndjek kapitali hungarez, me 7.27%, ai grek, me 4.57%, dhe ai gjerman me 2.25%. Krahasuar me vitin 2020 ndërkohë, shohim se, kapitali austriak, italian dhe grek kanë ulur peshën në sektorin bankar shqiptar, ndërkohë që është rritur ndjeshëm, veç atij shqiptar, edhe kapitali hungarez, dhe më pak ai turk dhe gjerman. Ndërkohë, me daljen e “Societe Generale” nga tregu bankar shqiptar në vitin 2019, kapitali francez është zhdukur thuajse tërësisht nga struktura aksionere.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Indeksi i Grave, Paqes dhe Sigurisë/ Shqipëria e 58-ta në botë, renditemi në vend të parafundit në rajon, Kosova e fundit

Postimi mëparshëm

“Taksat”, rritja më e madhe prej 2003-shit/ Arkëtimet, 23% rritje vjetore në 5 muajt e parë, por investimet në rënie

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.