Sociale

Jemi më të varfërit në Europë/ Eurostat: Shqipëria, me të ardhura për frymë 4 herë më të ulta se Bashkimi Europian

0

Të ardhurat e disponueshme të ekuivalentuara janë një prej treguesve më të pranueshëm dhe efikas në nivel ndërkombëtar sa i përket matjes së nivelit të mirëqenies dhe të pabarazisë. “Eurostat” së fundmi ka publikuar të dhënat e përditësuara të këtij treguesi mes vendeve të Europës, mes të cilave gjendet edhe Shqipëria, e cila renditet në vend të fundit në kontinent. “Scan Intel” i ka analizuar dhe përpunuar këto të dhëna. Por, cfarë janë të ardhurat e disponueshme të ekuivalentuara për frymë? Ky indikator llogarit të ardhurat totale të një familje, ku përveç pagës përfshihen edhe të ardhurat nga biznesi, investimet, remitancat, etj, zbriten taksat dhe çdo detyrim tjetër, dhe më pas pjesëtohen me numrin e anëtarëve të familjes, për të nxjerrë të ardhurat për frymë (me secilin anëtar që ka një peshë të ponderuar në varësi të moshës). Pra, shuma përfaqëson vlerën e mbetur për të kursyer dhe për të konsumuar, në vit për një individ.

Për Shqipërinë, sipas të dhënave më të fundit, të sapopublikuara nga Agjencia Europiane e Statistikave, të ardhurat e disponueshme për frymë, të shprehura sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS) dhe parimit të medianës, fiksohen pranë 4385 pps në vit. PPS është monedha artificiale që përdoret për të eleminuar diferencat e çmimeve. Shqipëria është padiskutim në vend të fundit në Europë. Mesatarja e Bashkimit Europian ndërkohë fiksohet pranë 17871 pps. Kjo do të thotë se në vendin tonë, të ardhurat për frymë janë rreth 4 herë më të ulta se në vendet e Bashkimit Europian. Sa i përket renditjes totale ndërkohë, Shqipëria është jo vetëm e fundit në Europë, por edhe me diferenca të ndjeshme me ndjekësit. Pas Shqipërisë, si vendi i dytë me të ardhurat më të ulta për frymë rezulton të jetë Maqedonia e Veriut. Në vendin fqinj, të ardhurat mediane për frymë fiksohen pranë 5988 pps. Më pas ndjek Serbia, me 6602 pps për frymë, Turqia me 6620 pps, Mali i Zi me 6861 pps për frymë, Rumania me 7724 pps, Bullgaria me 8674 pps, Hungaria me 9699 pps, dhe me radhë vendet e tjera të Europës. Në këtë renditje, mes vendeve të rajonit mungon Kosova dhe Bosnje Hercegovina.

Nga krahu i kundërt i tabelës ndërkohë, si vendi me të ardhurat më të larta për frymë në Europë, klasifikohet Luksemburgu, me 28675 pps për frymë. Krahasuar me Shqipërinë e vendit të fundit, qytetarët e Luksemburgut të vendit të parë, kanë të ardhura 6.5 herë më të larta. Pas Luksemburgut ndjek Norvegjia me rreth 28 mijë pps, Zvcira me rreth 26 mijë pps, Gjermania me 24 mijë pps dhe Austria me 23 mijë pps.

Kjo renditje i referohet klasifikimit të përgjithshëm të të ardhurave vjetore të disponueshme për frymë, ndërkohë që Eurostat jep të dhëna të detajuara të këtij indikatori edhe bazuar në grupmoshat. Në të gjitha rastet, Shqipëria renditet në vend të fundit. Por, nga ana tjetër, të dhënat japin një panoramë tjetër të mirëqenies së grupmoshave të ndryshme në vendin tonë. Bazuar në këto të dhëna, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”, rezulton se, në Shqipëri të miturit nën 18-vjec, dhe të moshuarit, ata mbi 75 vjeç, janë grupmoshat me të ardhurat më të ulta për frymë, me 3927 pps dhe 4125 pps respektivisht. Për të rinjtë, 18 deri në 24 vjeç, të ardhurat vjetore për frymë sipas Eurostat përllogariten në 4313 pps, për grupmoshën 25-54 pranë 4591 pps, mbi 65 vjeç pranë 4288 pps,dhe mbi 75 vjeç, pranë 4125 pps. Ndërkohë, grupmosha me të ardhurat më të larta rezulton ajo 55 deri në 64 vjeç, me rreth 4648 pps për frymë në vit të disponueshme për konsum apo kursim.

Ky publikim është i radhës në linjën e atyre të publikuara së fundmi nga Eurostat sa i përket krahasimit të Shqipërisë më Europën në disa prej indikatorëve kryesorë të mirëqenies. Kujtojmë se publikime të tjera të kohëve të fundit tregojnë se, Shqipëria është e para në Europë sa i përket popullsisë në rrezik varfërie, thuajse gjysmën (shiko këtu), apo vendi me konsumin individual më të ulët në kontinent, vetëm sa 39% e mesatares së Bashkimit Europian (shiko këtu).

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Nga financohet biznesi shqiptar? Anketa e RCC: 6% borxh nga të njohurit, 38% nga bankat, zero nga qeveria

Postimi mëparshëm

Prodhimi bujqësor dhe blegtoral, 12.6% rritje çmimesh/ Analiza e shifrave për periudhën 2015-2021, nga drithërat te mishi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.