Financë

Investimet e huaja, surprizon Gjermania/ Për herë të parë “rrëmben” kryesimin. Pasuritë e paluajtshme “rrëzojnë” industrinë nxjerrëse

0

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, investimet e huaja direkte prekën një rekord të ri historik, duke tejkaluar për herë të parën nivelin e 300 milionë eurove në vetëm 3 muaj. Tendenca në rritje e investimeve të huaja direkte në vendin tonë duket se ka vijuar edhe përgjatë tremujorit të parë të këtij viti, paçka se ritmi i rritjes është ngadalësuar. Kështu, të dhënat më të fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se flukset e investimeve të huaja në vendin tonë në tre muajt e parë të këtij viti ishin 272 milionë euro, nga 302 milionë euro që ishin në tremujorin e 4-tët të vitit të taluar. Në terma sezonalë ndërkohë, shifrat tregojnë se gjatë këtij viti, fluksi i investimeve të huaja ka qenë më i larti që prej tremujorit të parë të vitit 2019, kur regjistroheshin pranë 298 milionë eurove. Shifrat tregojnë gjithashtu se, stoku total i investimeve të huaja direkte në vendin tonë ka prekur shifrën e 9.76 miliardë eurove, nga 9.53 miliardë euro që ishte stoku gjatë 3 muajve të fundit të vitit 2021.

Nga ana tjetër, bie në sy fakti se për herë të parë, që kur të dhënat janë publike, Gjermania rezulton të jetë investitori i huaj më i madh në vendin tonë në harkun e një 3-mujori. Investimet e huaja gjermane gjatë tre muajve të parë të këtij viti regjistrohen pranë rreth 33 milionë eurove, si asnjëherë më parë. Mesatarja e të gjithë tremujorëve të kaluara flet për një shifër pranë vetëm 4 milionë eurove, çka do të thotë se këtë vit, investimet e huaja direkte nga Gjermania rezultojnë 8 herë më të larta se mesatarja historike. Gjatë tremujorit pararendës këtë pozicion e mbante Holanda, me rreth 96 milionë euro, dhe ndër vite e ka shkëmbyer atë kryesisht me Italinë. Këtë vit ndërkohë, kjo e fundit ka zbritur në vend të tretë, me rreth 29 milionë euro, ndërkohë që vendin e dytë e ka “rrëmbyer” Turqia me rreth 30 milionë euro investime etë huaja gjatë periudhës janar-mars të këtij viti. Holanda ndërkohë, që për shumë kohë ka mbajtur vendin e parë në terma fluksesh tremujore ka zbritur në vend të 4-tët me vetëm 22 milionë euro investime. Rritje të ndjeshme ndërkohë regjistrojnë edhe investimet “anonime”, të definuara si “të tjera për arsye konfidencialiteti”. Këto të fundit gjatë tre muajve të para të vitit fiksohen pranë rreth 70 milionë euro, në rritje të ndjeshme krahasuar me tremujorët paraardhës, dhe në shifrën më të lartë që prej tremujorit të tretë të vitit 2015.

Sa i përket stokut total ndërkohë, ndryshimet e temujorit të parë nuk janë përkthyer në lëvizje mes vendeve të para. Zvicra vijon të mbajë vendin e parë, me rreth 1.75 miliardë euro investime në vendin tonë, ndjekur nga Holanda, Kanadaja, Italia, Turqia. Mes 18 vendeve të para nuk ka asnjë ndryshim, ndërkohë që në vend të 19-të është ngjitur Serbia, nga vendi i 20-të i vitit të kaluar, duke e shkëmbyer këtë pozicion me Slloveninë. Investimet e huaja direkteve nga Serbia, në terma fluksesh gjatë tre mujave të parë të vitit kanë regjistruar një rekord hitsorik, por pavarësisht kësaj mbeten në vlera nominale të ulta, pranë vetëm 6.5 milionë eurove.

Sa i përket flukseve të investimeve të huaja sipas aktivitetit ekonomik, vëmë re se krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, këtë vit, në vend të parë janë ngjitur aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me rreth 59 milionë euro. Një vit më parë, në vend të parë qëndronte industria nxjerrëse. Gjatë kohëve të fundit, investimet e huaja në pasuritë e paluajtshme janë rritur ndjeshëm.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Agroturizmi, sektori me potencial zhvillimi/ Renditja dhe analiza e të ardhurave dhe fitimeve për 20 ferma agroturistike të regjistruara, cila kryeson

Postimi mëparshëm

Lufta na gjeti të papërgatitur/ Prodhimi i grurit ra gjatë 2021-shit, zëvendësohet nga misri. Perimet në rritje

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.