Norma e inflacionit gjatë muajit Mars është ngjitur pranë 5.7%, sipas metodologjisë së “EUROSTAT” për matjen e ndryshimit të çmimeve të konsumit. Ky tregues paraqitet i njejtë me normën e matur nga Institutiti i Statistikave për Marsin e këtij viti. Krahasuar me vendet e Europës, shifrat sinjalizojnë se kjo normë e matur sipas Eurostat, e vendos Shqipërinë ne vend të shtatë nga fundi. Mesatarja e rritjes së çmimeve në Bashkimin Europian, për muajin Mars të vitit 2022 fiksohet në 7.8% nga 6.2% që ishte në muajin shkurt të këtij viti. Në vend të parë, me rritjen më të lartë të çmimeve për Marsin, gjejmë të pozicionuar Lituaninë dhe Estoninë, ndërsa në fund është pozicionuar Malta dhe Zvicra.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 12,8% vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,3%, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,1% secili, “Veshje dhe këpucë” me 2,0%, “Komunikimi” me 1,8%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,0% dhe “Shërbimi arsimor” me 0,9%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shëndeti” u ulën me 0,2%.
Nga ana tjetër nëse do të flisnim për ndryshimin mujor të matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimieve të Konsumit, gjatë muajit Mars regjistrohet në 2.4%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti” me 6,2%, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,9%, “Veshje dhe këpucë” me 1,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,4%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,9%, “Hotele kafene dhe restorante” me 0,8%, “Shërbimi arsimor” me 0,6%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,5 % dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,2%.
Ndryshimi vjetor i IHÇK sipas Shteteve, Mars 2022
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments