Fondacioni për krijimin e vlerave (The Foundation for Value Creation) ka publikuar së fundmi “Indeksin e Cilësisë së Elitave 2021” (The 2021 Elite Quality Index). Ky indeks është një renditje globale e 151 vendeve të ndërtuara mbi nocionin e ‘cilësisë së elitës’. Cilësia e elitës kuptohet si ndikimi i përgjithshëm i modeleve elitare të biznesit pasi ato çojnë në krijimin e vlerës pozitive ose negative në tregun ekonomik. Po çfarë kuptojmë me elitat? Elitat janë grupe të ngushta, të koordinuara me modele biznesi që grumbullojnë me sukses pasurinë. Ato janë koalicione dominuese dhe funksionojnë si modele të larta biznesi. Ky indeks përdor të dhëna nga 107 tregues për të vendosur renditjen krahasuese të cilësisë së elitës për 151 vende të botës ku mes tyre gjendet edhe Shqipëria. Në kuadër të të dhënave për elitën e secilit vend të shohim se si pasqyrohet vendi ynë sa i përket qëndrueshmërisë së modeleve elitare të biznesit. Shqipëria renditet mes vendeve që kanë cilësi të mesme të elitave të biznesit, konkretisht në vendin e 77-të, duke grumbulluar 47.2 pikë dhe duke lënë pas vende të europës e botës, si Turqia, Brazili, Armenia. Nga të dhënat e pasqyruara, sa i përket cilësisë së elitave të biznesit në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit, shohim se vendi ynë ka lënë pas Bosnje Hercegovinën, e cila renditet e 114-ta me një total prej 43 pikësh. Në këtë indeks nuk gjejmë të renditur Kosovën dhe Malin e Zi. Serbia dhe Maqedonia e Veriut qëndrojnë para Shqipërisë në këtë renditje, ku Serbia renditet në vendin e 70, pra 7 vende para vendit tonë dhe Maqedonia e Veriut në vendin e 59, duke lënë pas vendet e rajonit.
Sa i përket elitave të bisnesit me cilësi më të lartë, në vend të parë qëndron Singapori me rreth 68 pikë, e ndjekur nga Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Hollanda. Ndërsa ndër vendet me cilësinë më të ulët të elitave të bianësit shohim të renditur vende si Siria, Libia, Irani e Iraku.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments