Sociale

Gati gjysma e popullsisë, në rrezik varfërie/ Eurostat: Shqipëria, e para në Europë, me një normë në 46.2%

0

Thuajse gjysma e popullsisë në vendin tonë është në rrezik varfërie apo përjashtimi social, thuhet në një publikim të fundit të Eurostat mbi objektivat e zhvillimit të qendrueshëm në Bashkimin Europian, ku në analizë janë marrë edhe vendet të tjera jashtë unionit si dhe ato kandidate, mes të cilave vendi ynë. Më saktësisht, sipas Eurostat, 46.2% e popullsisë shqiptare është në rrezik varfërie apo përjashtimi social. Por, çfarë do të thotë varfëri dhe përjashtim social? Ndërkohë që të ardhurat janë një element thelbësor në standardet e jetesës, aspekte të tjera mund t`i kufizojnë njerëzit të marrin pjesë plotësisht në shoqëri, si mungesa e aksesit në tregun e punës apo privimi material. Kështu, indikatori i “rrezikut të varfërisë dhe përjashtimit social” mat numrin e njerëzve të prekur nga të paktën një prej tre formave: varfëri në të ardhura, privim i rëndë material dhe privim social, apo intensitet mjaft i ulët pune.

Me një normë pranë 46.2% të popullsisë në rrezik varfërie, Shqipëria mban vendin e parë në Europë. Norma për Shqipërinë është më e lartë edhe se në të gjitha vendet kandidate, ku përfshihen: Turqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Ndërkohë, mesatarja e Bashkimit Europian për popullsinë në rrezik varfërie fiksohet pranë 21.5%. Çekia ndërkohë raporton normën më të ulët të këtij treguesi mes vendeve europiane, pranë vetëm 11.5%.

Ndërkohë, të dhënat për Shqipërinë nga Eurostat, sipas llojit të familjeve tregojnë edhe një anë tjetër të medaljes. Bazuar në shpërndarjen e popullsisë sipas të ardhurave, rreziku për të qenë i varfër në kuintilen e parë fiksohet në 100%, në 62% në kuintilen e dytë, në 41% në të tretën, 23.7% në të katërtën dhe 4.2% në të pestën.

Nga ana tjetër, 70% e femrave që jetojnë vetëm në Shqipëri janë në rrezik varfërie apo përjashtimi social, 68.7% e të rriturve që jetojnë vetëm me një fëmijë, 63.7% e të rriturve që jetojnë vetëm, 49.5% e të rriturve që jetojnë me një të rritur tjetër, apo 68.8% e të rriturve mbi 65 vjeç që jetojnë vetëm. Përvec kësaj të fundit, ku Bullgaria dhe Estonia raportojnë shifra disi më të larta, në të gjithë treguesit e lartpërmendur, Shqipëria regjistron rezultatin më negativ në Europë.

Nga ana tjetër, Eurostat nënvizon nëpërmjet shifrave se në zonat rurale në Shqipëri rreth 60% e popullsisë është në rrezik varfërie apo përjashtimi social, gjithashtu norma më e lartë në Europë.

Këto shifra nga Eurostat i referohen vitit 2020. Por, pavarësisht faktit se ka qenë vit pandemie, pjesa dërrmuese e treguesve për vendin tonë janë përmirësuar.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Prilli, turistët në nivelet e para pandemisë/ Hyrjet nga Kosova të vetmet me rënie, Anglia me rritjen më të lartë

Postimi mëparshëm

Çmimet, më pak mallra në prill/ Bie volumi me 5,7%, fluturimet me rritje deri në 36.2%, “thyejnë” edhe periudhën e para krizës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.