Sociale

Franca tërheq 55% të azilantëve shqiptarë/ Në 2021-shin Franca rrit ndjeshëm pjesën e saj në “tortën” e destinacioneve, tkurret Gjermania

0

Të dhënat e “Agjencisë Europiane të Statistikave” tregojnë se gjatë vitit 2021 janë regjistruar më shumë kërkesa për azil për herë të parë nga qytetarët të cilët nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, për mbrojtje ndërkombëtare në një nga vendet e unionit. “Scan Intelligence Unit” ka anlizuar këto shifra, për vendin tonë, për të parë se cilat janë destinacionet e preferuara të azilkërkuesve shqiptarë gjatë vitit 2021 dhe si kanë ndryshuar këto destinacione krahasuar me vitin 2020. Shifrat tregojnë se janë gjithsej 8,845 aplikme për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian. Krahasuar me vitit 2020, ky tregues është rritur me 77%. Edhe për vitin 2021, destinacioni kryesor i shqiptarëve në Europë është Franca. Janë 55.2% e shqiptarëve, ose 4,885, të cilët kanë aplikuar për azil në Francë, ndërkohë që krahasuar me vitin 2020, kjo shifër ka pësuar rritje me 14.9 pikë përqindje. Ndërkohë që kanë pësuar rritje aplikimet në Francë, shifrat tregojnë se gjatë vitit 2021, ka rënë numri i aplikimeve për vende si Gjermania, Greqia apo dhe Italia lidhur me totalin. Numri i kërkesave për azil në Gjermani gjatë vitit 2021 ka rënë me 2.6 pikë përqindje nëse do ta analizonim atë jo në vlerë absolute, por si përqindje ndaj totalit. Megjithatë,  Gjermania është destinacioni i dytë i preferuar për azilkërkuesit shqiptarë. Nga ana tjetër, për Greqinë ky tregues regjistron rënie deri në 7.8 pikë përqindje. Gjatë vitit 2020, nga totali i aplikimeve për azil, 20.5% ishin kërkesa me destinacion Greqinë, ndërsa gjatë vitit 2021, janë 12.7% kërkesa të azil kërkuesve shqiptarë që zgjodhën Greqinë. Kjo e fundit renditet e treta ndër destinacinet kryesore të shqiparëve azilkërkues. Shifrat tregojnë se në vitin 2020 janë disa vende për të cilat nuk regjistrohet asnjë aplikim, megjithatë gjatë vitit 2021 ka patur kërkesa. Këto vende janë Bullgaria, Kroacia dhe Portugalia, me nga 5 kërkesa, dhe Sllovenia e Finlanda me nga 10 kërkesa për azil nga shqiptarët.

Vendi ynë vijon të kryesojë rajonin sa i përket aplikimeve për azil për herë të parë. Në vend të dytë gjejmë Maqedoninë e Veriut, ndërsa Serbia renditet e treta me 2,055 kërkesa. Kosova vijon në renditje me 1,600 kërkesa për azil për herë të parë. Dy vendet e fundit me numrin më të ulët në rajon janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, me 1.560 dhe 250 kërkesa respektivisht.

“Scan Intelligence Unit” po ashtu ka analizuar të dhënat për të kuptuar se cilat janë destinacionet kryesore të azilkërkuesve nga rajoni. Shifrat tregojnë se azilkërkuesit nga Mali i Zi, nga Maqedonia dhe nga Serbia, kanë si destinacion kryesor Gjermaninë. Nga ana tjetër azilkërkuesit nga Kosova dhe nga Bosnje Hercegovina kanë destinacion të preferuar Francën.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çudirat me pagat në Shqipëri/ Kukësi dhe Dibra me paga më të larta se Durrësi dhe Fieri, por me peshë në ekonomi gati 5 herë më të ulët. Informaliteti, “shtrembëron” shifrat

Postimi mëparshëm

Shqiptarët, populli më pro-amerikan në NATO/ GALLUP: 82% e shqiptarëve aprovojnë lidershipin amerikan, nga 56% që ishin vjet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.