Të ardhurat neto të bankave, ose fitimi, gjatë vitit të kaluar ka prekur shifrën e 21.6 miliardë lekëve, tregojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Kjo shifër është më e larta që prej vitit 2017, dhe duket se reflekton performancën mjaft të mirë të sektorit gjatë vitit të kaluar, si në terma kreditimi, ashtu edhe sa i përket depozitave, me të dy treguesit që kanë prekur nivele rekord gjatë 2021-shit. Fitimi i bankave përfshin të ardhurat neto pa zërat e jashtëzakonshëm dhe taksat mbi të ardhurat. Gjatë vitit paraardhës, atë të pandemisë, të ardhurat neto të bankave që operojnë në vendin tonë fiksoheshin në 16.8 miliardë lekë, çka do të thotë se në harkun e një viti ato janë rritur me 28.5%, ose me rreth 4.8 miliardë lekë, që përkthehet në rreth 40 milionë euro shtesë në formë të ardhurash.
Sa i përket të ardhurave bruto të sektorit bankar gjatë vitit të kaluar, ato fiksohen në 62.15 mld lekë, nga 57.7 miliardë lekë që ishin gjatë vitit të kaluar, pra në rritje me 7.7% në harkun e një viti, ose me 4.4 miliardë lekë. Sa i përket të ardhurave, shifrat e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intelligence Unit” tregojnë se të ardhurat nga interesat mbajnë peshën më të madhe, duke zënë rreth 74% të totalit, rreth 45.97 mld lekë gjatë vitit të kaluar, në rritje të lehtë krahasuar me vitin paraardhës, kur fiksohej në rreth 42.79 mld lekë. Pjesa e mbetur ndërkohë, pra rreth 26% janë të ardhura që vijonë në forma të tjera, si komisione, instrumenta financiarë, apo shoqëri të lidhura me bankat.
Ndërkohë, në linjë me fitimet dhe të ardhurat janë rritur edhe shpenzimet e sektorit bankar gjatë vitit të kaluar. Shpenzimet jo interesi janë ngjitur në 37.44 mld lekë, ose rreth 308 milionë euro, nga 33.92 mld lekë që ishin gjatë vitit paraardhës, duke u rritur kështu me rreth 10.4% në harkun e një viti. Rritja e shpenzimeve rezulton të jetë kështu më e lartë se ajo e të ardhurave.
Ndërkohë, kujtojmë se së fundmi, Banka e Shqipërisë ka pezulluar sërish shpërndarjen e fitimit të bankave, në formën e dividentit sa i përket vitit 2021, por edhe për vitin aktual.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments