Pak më shumë se gjysma e fëmijëve shqiptarë, ose më saktë 51% e tyre vlerësohen në rrezik varfërie apo përjashtimi social, sinjalizojnë shifrat më të fundit të publikiara nga Eurostat, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”. Kjo shifër është më e larta në Europë. Ndërkohë, në rang kombëtar, rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri vlerësohet pranë 46.2%, gjithashtu norma më e lartë në Europë. “Rreziku për të qenë i varfër apo përjashtimi social” i referohet individëve të prekur nga të paktën një prej tre formave: varfëri në të ardhura, privim i rëndë material dhe privim social, apo intensitet mjaft i ulët pune. Fëmijët janë të përfaqësuar në këto statistika nëpërmjet njësive së tyre familjare.
Norma prej 51% përkthehet në më shumë se 304 mijë fëmijë shqiptarë të cilët janë në rrezik varfërie, referuar shifrave të tjera nga i njëjti publikim i Eurostat, të cilat përkojnë edhe me ato të institutit të statistikave sa i përket peshës së kësaj grupmoshe.
Ndërkohë, mesatarja europiane e individëve nën 18 vjec të cilët janë në rrezik varfërie apo përjashtimi social fiksohet pranë 23.8%, sinjalizojnë shifrat e publikuara nga Eurostat. Pas Shqipërisë që mban rekord në kontinentin e vjetër në këtë drejtim, ndjek Mali i Zi, me një normë pranë 45.8%, Turqia me 43.4%, Rumania me 41.5% dhe Maqedonia e Veriut me 39.7%. Nga krahu i kundërt i tabelës ndërkohë, ku renditen shtetet me përqindjen më të ulët të fëmijëve në rrezik varfërie apo përjashtimi social gjejmë Danimarkën, ku norma fiksohet në 13.4%, Çekinë, me një normë pranë 12.9% dhe Slloveninë me 12.1%.
Kujtojmë se, në total, 46.2% e individëve në vendin tonë janë në rrezik varfërie, ose rreth 1.3 milionë individë. Ndërkohë, për fëmijët, pra individët nën 18 vjeç, kjo normë në vendin tonë është edhe më e lartë se mesatarja kombëtare, veç rekordit europian. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara fëmijë konsiderohen të gjithë individët nën moshën 18 vjeç. Të dhënat e Eurostat nga ky publikim i referohen vitit 2020.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments