“Scan Intelligence Unit” ka siguruar ekskluzivisht raportin vijues të “Standard and Poor`s” mbi vendimin për të mbajtur të pandryshuar notën e borxhit sovran të Shqipërisë, të publikuar më 2 Gusht. Raporti përfshin një analizë të zgjeruar të ekonomisë dhe financave shqiptare, aktuale dhe mbi pritshmëritë për të ardhmen afat-shkurtër dhe afat-mesëm. Agjencia vlerëson se, rritja ekonomike pranë 5% këtë vit si dhe rimëkëmbja pranë niveleve para pandemisë do të marrë shtysë nga programi masiv i vaksinimit, politikat fiskale dhe monetare akomoduese, si dhe lirimi i masave të lëvizjes së njerëzve. Fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme vlerësohet nga agjencia si një sinjal se nuk do të ketë ndryshim politikash. Sa i përket borxhit publik, agjencia e projekton atë pranë 78% këtë vit, dhe në rënie graduale në vitet që pasojnë, ndërkohë që inflacioni parashikohet poshtë objektivit të bankës qendrore, pavarësisht luhatshmërisë së çmimeve.
Sa i përket një zhvlerësimi të mundshëm të notës së borxhit sovran, agjencia thotë se kjo mund të ndodhë nëse, ndryshe nga pritshmëritë e saj, defiçiti i jashtëm i Shqipërisë do të peshojë mbi rezervat dhe nëse stoku i borxhit të qeverisë do të vijojë të rritet, si pasojë e defiçitit fiskal apo materializimit të detyrimeve të prapambetura si pasojë e skemave të Partneritit Publik Privat. Nga ana tjetër, mund të pritet një rritje e notës së borxhit sovran në rast se, autoritetet do të implementojnë reforma të cilat të përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme klimën e biznesit, si dhe të menaxhojnë rreziqet fiskale, njëkohësisht me rënien e informalitetit dhe vijimin e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte.
Sa i përket informalitetit të lartë, eurozimit po të lartë të ekonomisë shqiptare, si dhe mos-zhvillimit së tregjeve të kapitalit, agjencia nënvizon se, ky kombinim e bën politikën monetare më pak efektive.
“Skemat e partneritit publik privat (PPP) jashtë bilanceve vijojnë të përbëjnë një rrezik për financat publike. Aktualisht, Shqipëria ka mbi 200 skema PPP. Rreziqet potenciale nga PPP mbeten të vështira për t`u parashikuar”-nënvizon Standard and Poor`s në raportin për Shqipërinë.
Në raport, një vëmendje të vecantë merr edhe sektori i turizmit, ku agjencia vë theksin te fakti se, parashikon që ky vit mos të sjellë dot ende një rimëkëmbje në nivelet e 2019-ës, edhe në nivel fluksesh, por edhe në nivel shpenzimesh nga turistët. “Turizmi ndërkombëtar kontribuon drejtpërdrejtë me rreth 15% në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, duke e bërë Shqipërinë vendin më vulnerabël në rajon nga tronditje të mundshme në lidhje me sektorin”-nënvizon agjencia.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments