Të dhënat e “Institutit të Statistikave” mbi tregun e punës për vitin 2021 pasqyrojnë shifra mjaft interesante, mes tyre edhe përqindjen e të punësurave me pagë sipas arsimit, moshës dhe gjinisë. Sipas shifrave të “Scan Intel”, 90% e femrave të punësuara të cilat kanë mbaruar arsimin e lartë marrin pagë. Theksojmë se grupmosha të cilës i referohen të dhënat është 15 vjeç e lart. Ndërkohë, po të analizojmë shifrat për meshkujt shihet se kjo përqindje është më e vogël se te femrat. Për vititn 2021, 75.7% e meshkujve të punësuar të cilët kanë mbaruar arsimin e lartë janë të punësuar me pagë. Nga rezultati i këtyre të dhënave lind dilema se në vendin tonë arsimi i lartë vlen më shumë për femrat se sa për meshkujt.
Megjithatë, për të arsyetuar këtë shifër duhet marrë parasysh se meshkujt të cilët kanë mbaruar arsimin e lartë dhe janë të vetëpunësuar janë më shumë në numër se femrat. Sipas të dhënave në të njejtin publikim, mbi përqindjen e të vetëpunësuarve, shohim se 19.3% e meshkujve të punësuar të cilët kanë arsim të lartë janë të vetëpunësuar, ndërkohë që për femrat kjo shifër është më e ulët. Shifrat tregojnë se 6.4% e femrave të punësuara dhe më arsim të lartë janë të vetëpunësuara pa pagë.
“Scan Intel” ka analizuar gjithashtu dhe ndryshimin vjetor të këtyre treguesve. Krahasuar me vitin 2020, vihet re një rritje e përqindjes së femrave dhe po ashtu e meshkujve të punësuar të cilët kanë mbaruar arsimin e lartë dhe janë të punësuar me pagë. Rritja për femrat regjistrohet me 1.8 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt rritja nga viti 2020 në vitin 2021 paraqitet më e lartë, me 2.7 pikë përqindje. Për të bërë një analizë të përgjithshme, shohim se në total për vitin 2021, 83.5% e të punësuarve me arsim të lartë marrin pagë dhe krahasuar me vitin 2020 ky tregues ka pësuar rritje me 2.1 pikë përqindje.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments