Totali i depozitave në paranë e gjerë në sektorin bankar në vendin tonë gjatë muajit mars të këtij viti ka prekur shifrën e 1.12 trilionë lekëve, ose 9.12 mld euro, duke regjistruar një rritje prej 0.5% krahasuar me muajin paraardhës. Kjo rritje është më e larta që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar. Shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë sinjalizojnë se, që prej fillimit të pandemisë, pra në harkun e një viti, nga marsi 2020 deri në mars të këtij viti, totali i depozitave në paranë e gjerë në vendin tonë është rritur me rreth 49.4 mld lekë. E përkthyer në valutë, kjo shifër fiksohet në rreth 401 milionë euro, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Tendenca e rritjes së depozitave me një hap më të shpejtë është vënë re përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së pandemisë.
Një tjetër e dhënë që vihet re nga shifrat zyrtare është rritja e peshës së depozitave në lek mbi totalin, kundrejt atyre në valutë. Nga përpunimi i të dhënave rezulton se, në mars të vitit të kaluar, depozitat në lek ishin vetëm 44% e totalit, dhe 56% ishin ato në valutë. Në mars të këtij viti ndërkoë, pasha e depozitave në lek është ngjitur në 46% dhe ajo e atyre në valutë ka zbritur në 54%, çka tregon se rritja e depozitave në lek gjatë pandemisë ka qenë më e lartë se ato në valutë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments