Financë

Depozitat bankare u “frynë” me 861 mln euro/ Në 2021-shin, rritja më e madhe në 10 vite, valuta “dominon” lekun

0

Depozitat në sektorin bankar gjatë vitit të kaluar kanë prekur shifrën e 1.22 trilionë lekëve, tregojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë, të analizuara nga “Scan Intelligence Unit”. Këto shifra tregojnë jo vetëm se kjo është vlera më e lartë historike e prekur ndonjëherë, por edhe se rritja vjetore është më e larta në një dekadë. Gjatë vitit 2021, depozitat në paranë e gjerë u rritën me 9.4%, krahasuar me vitin 2020. Gjatë 2020-ës ndërkohë, rritja vjetore fiksohej në 8.3%. Për të gjetur një normë rritje më të lartë se 2021-shi duhet të kthehemi pas shumë vite, në 2011-ën, kur termat e rritjes vjetore fiksoheshin në 11.5%, sinjalizojnë shifrat e Bankës së Shqipërisë në lidhje me nivelin e depozitave në sektorin bankar. Pra, në harkun e një viti, depozitat bankare të shqiptarëve janë “fryrë” me 104.6 mld lekë, ose me 861 mln euro, përafërsisht $1 mld. Në terma absolutë kjo është shifra më e lartë që prej vitit 2010, kur depozitat bankare rriteshin me rreth 122 mld lekë, ose rreth 1 mld euro.

Po të shohim shifrat e depozitave në lek, vëmë re se dhjetori i vitit të kaluar ka regjistruar një tjetër rekord, rritjen më të madhe mujore në 14 vite. Gjatë dhjetorit të 2021-shit, depozitat në lek u rritën me 4.4%, dhe duhet të shkojmë pas në kohë në dhjetor të 2007-ës për të gjetur një normë rritje më të lartë. Totali i depozitave të shqiptarëve në lek fiksohet kështu në 553.1 mld lekë, nga 517 mld lekë që ishte një vit më parë.

Sa i përket depozitave në valutë ndërkohë, 2021-shi u mbyll me 663 mld lekë, në rritje me rreth 11%, dhe me hapin më të shpejtë në 10 vite.
Pra, shifrat tregojnë jo vetëm një rritje të ndjeshme të depozitave në sektorin bankar, por edhe se kjo tendencë vjen kryesisht nga ato në valutë, me monedhën vendase që duket se vijon të jetë e dominuar nga monedhat e huaja.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Huaja e re, rekord gjatë 2021-shit! Arriti në gati 2.2 mld euro, sa 15% e PBB. Për blerje banese u rrit me 51%

Postimi mëparshëm

Në cilat qytete u rrit më shumë kredia? Në Lezhë, Fier dhe Tiranë. Në Durrës ekonomia ka “ngecur”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.