Edhe në tremujorin e tretë të këtij viti, Credins bank u rrit me ritme të kënaqshme. Treguesit më të fundit financiarë, të publikuar nga vetë institucioni huadhënës tregojnë se, në fund të shtatorit të këtij viti, totali i aktiveve preku shifrën e 239 mld lekëve, në rritje me rreth 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sa i përket aktivitetit kryesor të bankës, kredia ndaj sektorit privat mbetet shtylla kryesore, me 108 mld lekë totalin e portofolit, në rritje me 7.35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e publikuara nga vetë banka. Banka raporton gjithashtu një total prej 154 mld lekësh depozita të klientëve, në rritje me 8% krahasuar me fundin e shtatorit të vitit 2019.
Torta e aktiveve të bankës, vec huasë, përbëhet, sipas peshës, nga letrat me vlerë, me 68 mld lekë, dhe arka dhe banka qendrore me rreth 35 mld lekë. Të tre këto zëra përbëjnë rreth 87% të totalit të aktiveve të bankës. Credins është banka e tretë më e madhe në Shqipëri. Në fund të muajit shtator, Credins Bank numëron 58 degë dhe 949 punonjës gjithsej, në rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Këta tregues të shëndetit financiar janë një sinjal mjaft i mirë për shëndetin financiar jo vetëm për Credins Bank, por për të gjithë sektorin bankar dhe ekonominë në tërësi, pasi vijnë në një kohë që vendi është në recesion dhe efektet e pandemisë nuk kanë kaluar ende.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments