Gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, qeveria shqiptare ka arkëtuar rreth 41 miliardë lekë, ose 346 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Nga analiza e shifrave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë rezulton se, vetëm nga arkëtimi i TVSH, administrata tatimore dhe doganore ka mbledhur plot 115 milionë euro më shumë se 5 muajt e parë të vitit të kaluar. Rritja e ndjeshme e të ardhurave në buxhetin e shtetit është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e rritjes së çmimeve të konsumit dhe sidomos të karburanteve, dhe këtë gjë e ilustron më së miri rritja e ndjeshme e arkëtimeve nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Kjo e fundit zë 1/3 e rritjes të të ardhurave në buxhetin e shtetit gjatë 5 muajve të parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke llogaritur këtu edhe rimbursimin e TVSH ndjeshëm më të ulët se një vit më parë, më shumë se 2 herë më i ulët, atëherë, vetëm nga TVSH, arkat e shtetit kanë grumbulluar rreth 171 milionë euro më shumë se një vit më parë, sinjalizojnë shifrat zyrtare, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”. Vetëm duke i`u referuar TVSH së brendshme ndërkohë (neto) rezulton një arkëtim prej 16.6 mld lekësh gjatë 5 muajve të parë, rreth 7.2 mld lekë ose 60 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rritje të ndjeshme regjistron edhe tatimi mbi fitimin, me rreth 47 milionë euro më shumë të arkëtuara se një vit më parë, të ardhurat nga fondet speciale, kryesisht sigurimet shoqërore, me rreth 37 milionë euro më shumë se një vit më parë, të ardhurat nga taksat nacionale, me rreth 28 milionë euro më shumë, apo të ardhurat nga pushteti vendor, me rreth 26 milionë euro më shumë.
Por, ndërkohë që të ardhurat janë rritur ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë, me rreth 22%, ose me 346 milionë euro, jo e njëjta gjë ka ndodhur me investimet. Shpenzimet kapitale gjatë 5 muajve të parë të vitit rezultojnë 4.9 miliardë lekë, ose 41 milionë euro më të ulta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Krahasuar me planin ndërkohë, Ministria e Financave sqaron se, të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 107% të planit të 5-mujorit. Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan 6.4% më shumë se plani 5-mujor për vitin 2022. Të ardhurat tatimore ku përfshihen të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT për 5 mujorin 2022 u realizuan në masën 7.9% më shumë se plani i 5 mujorit 2022. Ndërkohë, të ardhurat vetëm nga TVSH e arkëtuar u realizuan 2% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 5 mujorin 2022.
Shpenzimet kapitale ndërkohë rezultojnë me një masë realizimi vetëm sa 79.4% e planit vjetor për periudhën. Plani mbi të cilin Ministria e Financave dhe Ekonomisë i referohet krahasimit dhe masës së realizimit bazohet te akti i 3-të normativ i buxhetit të shtetit për këtë vit, që është miratuar në muajin mars të këtij viti, pra pasi kishte shpërthyer kriza e çmimeve, dhe jo planit fillestar të buxhetit të miratuar vitin e kaluar. Edhe pse krahasimi është bërë me planin e vendosur ndërkohë që kriza e çmimeve kishte kulmuar, të ardhurat rezultojnë ndjeshëm mbi atë çfarë priste qeveria në muajin mars, ndërsa investimet ndjeshëm më të ulta.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments