Muaji Mars ka sjellë një valë të re te rritjes së çmimeve në vendin tonë, me shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave që flasin për një normë inflacioni në 5.7%, niveli më i lartë që prej vitit 2002. Rritja e ndjeshme e çmimeve, sidomos ajo e hidrokabrureve ka shkaktuar një efekt zinxhir në të gjithë sektorët e tjerë duke sjellë edhe shumë reagime, sidomos ndaj qeverisë, për të ndërhyrë duke zbutur disi këtë efekt. Një prej pikave ku është kërkuar ndërhyrja, nga ekspertët e fushës dhe shoqëria civile është pikërisht niveli i TVSH-së. Ndërkohë, qeveria shqiptare nuk ka lënë asnjë shteg deri më tani për një ndërhyje të tillë. Por, shifrat më të fundit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se hapësira ka. TVSH e arkëtuar, bruto është një prej treguesve që lidhet drejtpërdrejtë me efektin e çmimeve në buxhetin e shtetit.
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat, duke i krahasuar edhe me vitet paraardhëse, për të kuptuar se sa ka arkëtuar më shumë qeveria shqiptare si pasojë e rritjes së çmimeve. Shifrat tregojnë se TVSH e arkëtuar bruto gjatë 3-mujorit të pare të këtij viti fiksohet në rreth 48.45 mld lekë, ndërsa vetëm për marsin, kur kulmoi edhe kriza e çmimeve, fiksohet në 17.17 mld lekë, duke regjistriar një rekord të padiskutueshëm historik. Gjatë vitit 2021, ky tregues për marsin fiksohej në 13.8 miliardë lekë, dhe në 2020-ën, vitin e pandemisë, në vetëm 9.78 miliardë lekë. Ndërkohë, mesatarja e 5 viteve të kaluara flet për një vlerë arkëtimi të TVSH bruto pranë 11.8 mld lekëve. Pra, krahasuar me 5 vitet e kaluara, gjatë marsit të këtij viti, qeveria shqiptare ka arkëtuar në vetëm një muaj, 5.37 mld lekë më shumë, që përkthehet në rreth 44.5 milionë euro. Kaq duket të jetë afërsisht efekti i rritjes së çmimeve në buxhetin e shtetit. TVSH e arkëtuar bruto nuk përfshin rimbursimin e TVSH, që gjithsesi duket të jetë në rënie. Nga ana tjetër, ky tregues i referohet TVSH në import dhe asaj të brendshme, pra përfshin edhe fitimin nga TVSH e produketeve të importuara, por që gjithsesi përfaqësojnë të ardhura për buxhetin e shtetit. Ndërkohë, përgjatë 3-mujorit, diferenca me mesataren historike të 5 viteve të kaluara fiksohet në 13.2 miliardë lekë, ose rreth 110 milionë euro.
Totali i TVSH së arkëtuar neto, pra duke hequr edhe rimbursimin gjatë 3-mujorit rezulton me një masë realizimi në 26.37% mbi planin vjetor. Një masë realizimi e tillë, duke pasur parasysh që bëhet fjalë vetëm për tre muajt e parë të vitit, të cilët karakterizohen nga një konsum ndjeshëm më i ulët se tremujorët pasardhës, sidomos 2 tremujorët e gjysmës së dytë të vitit, atëherë gjasat janë që deri në fund të vitit, arka e shtetit të fryhet me qindra miliona euro të paplanifikuara, si pasojë e rritjes së çmimeve.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments