Financë

Cilat qytete paguajnë më shumë taksa? Tirana, e para, me rreth €1 mijë për frymë në vit, Gjirokastra e dyta. Elbasani në vend të fundit, me vetëm €222

0

“Scan Intel” ka analizuar dhe përpunuar shifrat zyrtare, duke i kryqëzuar ato me popullsinë, për të kuptuar se cili qark paguan më shunë “taksa” (detyrime tatimore) për frymë dhe cili më pak. Të dhënat i referohen të ardhurave tatimore, pra nuk përfshihen të ardhurat doganore apo tarifat dhe taksat të cilat paguhen në forma të tjera, sipas drejtorive rajonale, përjashtuar Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, e cila është një drejtori e vetme dhe nuk ka referencë gjeografike. Nga ana tjetër, duke qenë se Vlora dhe Saranda janë dy drejtori rajonale më vete, i kemi bashkuar në një, duke qenë se janë një qark i vetëm, dhe duke qenë se të gjitha drejtoritë e tjera rajonale përkojnë me qarkun respektiv.

Kështu, nga kjo analizë të dhënash në raport me popullsinë e secilit qark rezulton se në vend të parë, në mënyrë të padiskutueshme dhe me diferencë të ndjeshme me qarqet e tjera është qarku i Tiranës, ku mesatarja e “taksave” për frymë që paguan një individ fiksohet pranë 110 mijë lekëve, ose rreth 943 euro në vit. Duke qenë se të ardhurat tatimore përfshijnë edhe bzinesin, rrjedhimisht Tirana ka një shifër të lartë dhe renditet në vendin e pare. Pra, qarkullimi I parasë në kryqytet është aq I lartë sa as popullsia mjaft e madhe krahasuar me qarqet e tjera nuk e “ndihmon” dot në këtë renditje për frymë. Suprizon ndërkohë vendi i dytë në këtë renditje, Gjirokastra, me 50 mijë lekë për frymë në vit. Pavarësisht diferencës së ndjeshme, pozicionohet menjëherë pas kryeqytetit në këtë renditje. Në vend të tretë renditet Durrësi, me rreth 47 mijë lekë për frymë në vit. Vlora me rreth 38 mijë lekë, Lezha me rreth 32 mijë lekë, Shkodra dhe Berati me rreth 30 mijë lekë, Dibra dhe Kukësi me 28 mijë lekë, vijojnë renditjen deri në vendin e 9-të.

Nga ana e kundërt e tabelës, si qarqet me më pak “taksa” të paguara për frymë, renditen: Korça e vendit të 10-të me 27 mijë lekë për frymë në vit, Fieri i vendit të 11-të, po me rreth 27 mijë lekë për frymë në vit, dhe Elbasani i vendit të fundit në këtë klasifikim. Elbasanllinjtë derdhin në arkat e tatimeve në vit mesatarisht rreth 26 mijë lekë për frymë, ose 4.3 herë më pak se ajo që derdh në arkat e tatimeve mesatarisht një banor i kryeqytetit.

Të ardhurat tatimore përfshijnë: TVSH bruto dhe neto, tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale, taksat nacionale, taksën e qarkullim rrugor, tatimin e lojrave të fatit dhe dënimet administrative. Secili ndër këta zëra përfshiin taksa dhe tarifa të tjera. Vetëm zëri i taksave kombëtare përfshin rreth 26 taksa dhe tarifa të tjera, ndërkohë që ai i të ardhurave personale përfshin rreth 11 zëra tatimorë të tjerë, që nga tatimi i punës e deri te tatimi i të ardhurave nga qiradhënia apo shitja e pronës. Pra janë mbi 40 zëra në total, çka përfshin një pjesë të konsiderueshme të taksave dhe tarifave individuale të një indivi apo biznesi, duke dhënë kështu një panoramë të qartë të pagesës së taksave për frymë. Renditja në vend të fundit të këtij klasifikimi nuk përkthehet me mospagesë taksash, por lidhet ngushtë edhe me konsum, fitim, qarkullim të ulët, si për bizneset ashtu edhe për individët.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kriza e çmimeve, rriten sërish kreditë me probleme/ Ndodh për të dytin muaj me radhë, por mbeten pranë nivelit më të ulët prej 2008-ës

Postimi mëparshëm

Burrat apo gratë, kush i mban llogaritë? Shifrat tregojnë se 6 në 10 depozita bankare zotërohen nga meshkujt

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.