Gjatë ditëve të ftohta të dimrit të gjithë drejtohemi drejt burimeve të ndryshme të ngrohjes për të sigurar një ambient më të ngrohtë dhe për t’u mbrojtur nga i ftohti. Po cilat janë burimet kryesore të ngrohjes për familjet shqiptare? “Scan Intelligence Unit”, ka bërë një analizë të të dhënave të “Vjetarit Statistikor” mbi burimet kryesore të ngrohjes për vitin 2020. Burimet kryesore të ngrohjes në familjet shqiptare për vitin 2020 janë drutë e zjarrit dhe qymyri, me 54,6 %, ndjekur nga energjia elektrike, me 38,8 % dhe gazi, me 5,8 %. Krahasuar me vitin 2019-të, ka rënë përqindja e familjeve të cilat kanë përdorur drutë e zjarrit si burim kryesor, me 0.1 pikë përqindje dhe është rritur përqindja e atyre që kanë përdorur energjinë elektrike. Nga ana tjetër rënie ka pësuar edhe përqindja e familjeve të cilat përdorin gazin, nga 6.2% gjatë 2019-ës, në 5.8% gjatë 2020-ës. Krahasuar me vitin 2019 ndërkohë, përdorimi i gazit për ngrohje thuajse është përgjysmuar, si numër familjesh.
Dibra është qarku me përqindjen më të lartë të familjeve, me 96.7%, të cilat kanë përdorur drutë e zjarrit si burim kryesor të ngrohjes për vitin 2020. Pas Dibrës, renditet qarku i Kukësit me përqindjen më të lartë të familjve të cilat ngrohen kryesisht me dru zjarri ose qymyr. Durrësi nga ana tjetër është qarku i cili ka përqindjen më të ulët të familjeve të cilat përdorin drutë e zjarrit për t'u ngrohur.
Sa i përket energjisë elektrike si burim ngrohje, është qarku i Tiranës i cili regjistron përqindjen më të lartë të përdorimit të energjisë si burim kryesor i ngrohjes, me 57,9 %. Dibra dhe Kukësi kanë përqindjen më të ulët të familjeve që përdorin energjinë elektrike si burim kryesor ngrohje, me 2% dhe 4.4% përkatësisht.
Durrësi regjistrohet si qarku me përqindjen më të lartë të familjeve të cilat përdorin gazin si burim për ngrohje, krahasuar me qarqet e tjera. Megjithëse Durrësi ka si burim kryesor të ngrohjes energjinë elektrike, janë 12.2% të familjeve të cilat gjatë vitit 2020 kanë përdorur gazin si burim të ngrohjes. Pas Durrësit ndjek qarku i Shkodrës më përqindjen më të lartë të përdorimit të gazit, me 8%. Shifrat tregojnë se Kukësi nuk e përdor gazin si burim energjie.
Sa i përket burimeve të tjera të ngrohjes siç janë nafta, gasoil dhe vajguri, kanë një përdorim në përqindje shumë të vogël, ku kryesisht regjistrohen në qarkun e Vlorës me 2,2% të familjeve përdoruese, ndjekur nga qarku i Beratit dhe Lezhës me 1.5% secili. Qarqe si Dibra dhe Kukësi nuk i përdorin hidrokarburet si burim të energjisë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments