Borxhi i Jashtëm Bruto i Shqipërisë ka prekur një rekord të ri gjatë tremujorit të parë të këtij viti, dhe tashmë fiksohet pranë nivelit të 9.8 miliardë eurove, sinjalizojnë shifrat e sapo përditësuara nga Banka e Shqipërisë. Gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar ndërkohë, stoku i Borxhit të Jashtëm Bruto të vendit fiksohej pranë nivelit të 9.74 miliardë eurove. Pra, kemi të bëjmë me një rritje të borxhit të jashtëm të vendit në terma absolutë prej rreth 60 milionë eurosh. Në terma nominale, me bazë tremujorësh ndërkohë, rritja fikoshet pranë 0.6%. Gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar ndërkohë, Borxhi i Jashtëm Bruto rritej me 8.6% dhe në tremujorin pararendës me 2.2%.
Të dhënat e detajuara ndërkohë, tregojnë se, kjo rritje e stokut të Borxhit të Jashtëm Bruto të vendit është ndikuar kryesisht nga huaja afat-gjatë e qeverisë së përgjithshme. Gjatë 3 muajve të parë të vitit ky tregues është rritur në rreth 3.63 mld euro, nga 3.57 mld euro që ishte në tremujorin paraardhës. Pra kemi të bëjmë me një rritje të përafërt me 60 milionë euro, aq sa është rritur edhe në total stoku i borxhit të jashtëm të vendit.
“Scan Intel” i ka përpunuar dhe analizuar të dhënat e Borxhit të Jashtëm Bruto edhe në raport me popullsinë, nga ku rezulton se në tremujorin e parë të këtij viti është ngjitur pranë 3508 eurove për frymë, nga 3441 euro që ishte në tremujhorin e fundit të vitit të kaluar, pra kemi të bëjmë me një rritje në terma absolutë prej 67 eurosh në harkun e vetëm 3 muajve. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 ndërkohë, pra përpara se kriza e shkaktuar nga tërmeti dhe pandemia të kishte efekt në financat publike, Borxhi i Jashtëm bruto për frymë i vendit fiksohej pranë 2880 eurove, çka sinjalizon se në harkun e vetëm dy viteve është rritur me 628 euro për person. Ky stok i referohet vetëm borxhit të jashtëm të Shqipërisë, dhe nuk përfshin borxhin e brendshëm, çka do të thotë se 3508 euro është borxhi i çdo shqiptari ndaj institucioneve të huaja. Në tremujorin e parë të vitit 2008, Borxhi i Jashtëm Bruto për frymë fiksohej pranë vetëm 816 eurove, çka tregon se në harkun e më pak se një dekade e gjysëm është rritur me 4.3 herë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments